E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu dhe Fortuzi njihen me abuzimet në ndërtim

17/06/2009  Fushata në Tiranë

Kandidatët për deputet të Partisë Demokratike Majlinda Bregu dhe Indrit Fortuzi gjatë një takimi me banorë të rrugës “Jordan Misja” në kryeqytet kanë evidentuar një tjetër abuzim të kryebashkiakut Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, me lejet e ndërtimit. Duke biseduar me banorë të zonës, u mësua se me anë të një leje ndërtimi të paligjshme është ndërtuar një pallat shumëkatësh në këtë rrugë, në lagjen “Braka”, në hapësirën ndërmjet pallateve të vjetra të banorëve autoktonë tiranas. Banorët kanë denoncuar ndërtimin e këtij pallati, pasi, siç u shprehën ata, është absurde të bllokohet nyja kryesore për hyrjen në banesat e tyre, çka e bën të pamundur që në raste emergjente, zjarrfikëset dhe autoambulancat të depërtojnë në thellësi. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë PD-së, banorët thonë se shqetësimit të tyre Bashkia e Tiranës i është kundërpërgjigjur me një injorim total. Kandidatët e PD-së Majlinda Bregu dhe Indrit Fortuzi garantuan se do të ndërhyjnë menjëherë me rrugë institucionale për bllokimin e kësaj afere korruptive dhe penalizimin e përgjegjësve. Ata deklaruan se do të merren të gjitha masat në mënyrë që të ndërpriten punimet. Bregu tha se do të denoncohet menjëherë kjo që po ndodh dhe do të hetohet, se cila firmë punon dhe se si e ka siguruar lejen e ndërtimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›