E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Bregu i Fildishtë mund ta përballojë Brazilin"

Të kesh një skuadër të mirë është një gjë, të dish ta përdorësh është diçka krejt tjetër. Kjo është filozofia e përdorur nga Zinedin Zidan rreth kontingjentit aktual të Bregut të Fildishtë, gjatë përgjigjeve të lexuesve të revistës franceze, "France Football". Fituesi i Kupës së Botës në vitin 1998 mendon se asnjë skuadër tjetër afrikane nuk ka më shumë lojtarë cilësorë se "elefantët". "Kam besim te skuadra e Bregut të Fildishtë, pasi ata kanë futbollistë të konfirmuar në Ligat më të rëndësishme europiane. ‘Elefantët‘ kanë një shans në Botërorin e Afrikës së Jugut", deklaroi ish-kapiteni i Kombëtares franceze. Ashtu si edhe shumë analistë, Zidan e cilëson Grupin G, ku përballen Brazili, Bregu i Fildishtë, Portugalia dhe Koreja e Veriut si "Grupin e Vdekjes". "‘Drogba & Co.‘ do ta kenë të vështirë, pasi luajnë në një grup shumë të ndërlikuar", shtoi ish-mesfushori i Realit të Madridit. "Zizu" ka këshilluar afrikanoperëndimorët për mënyrën sesi mund të shmangin eliminimin e menjëhershëm: "Bregu i Fildishtë duhet ta nisë Botërorin 2010 me shumë entuziazëm. Objektivi i tyre kryesor duhet të jetë fitorja në ndeshjen e parë, në të kundërt kualifikimi do të jetë i vështirë për t‘u arritur". Fatet e skuadrës i ka në dorë edhe trajneri Vahid Halilhoxhiç. Zidan përfundoi: "Gjithçka është në dorën e trajnerit të Bregut të Fildishtë. Ai i ka lojtarët në dispozicion, duhet vetëm të dijë si t‘i përdorë. Nëse taktikat do të jenë të sakta, kjo skuadër mund të përballojë edhe Brazilin".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›