Mesi "shënjestron" Kupën e Botës 2010
Ylli i Barcelonës, Lionel Mesi, shpreson që të kurorëzojë një vit të jashtëzakonshëm, duke fituar edhe Kupën e Botës me Argjentinën. Pasi ka rrëmbyer të gjitha trofetë me katalanët dhe të gjitha çmimet individuale, "Lojtari më i Mirë në Botë" për vitin 2009 nuk kërkon të ndalet, por "shënjestron" edhe kupën më të rëndësishme në botë. Aktualisht Mesi ndodhet në Argjentinë, duke kaluar pak kohë me familjen dhe miqtë me rastin e festave. 22-vjeçari deklaroi se vetëm triumfi në Kupën e Botës 2010 do të mund t‘ia kalojë gjithçkaje që ai ka arritur deri më tani në "Kamp Nou". "Viti 2009 ka qenë i jashtëzakonshëm, pasi kam fituar gjithçka", deklaroi numri 10 i Barçës. "Objektivi im është që të vazhdoj rritjen si lojtar dhe të fitoj Kupën e Botës me Argjentinën. Titujt dhe vlerësimet që kam fituar deri më tani, mund të tejkalohen vetëm duke u shpallur kampionë në Afrikën e Jugut. Do të jap gjithmonë maksimumin për ekipin përfaqësues dhe shpresoj që paraqitjet e mia të jenë më të mira". Së fundmi, mediat argjentinase e kanë akuzuar Mesin se në skuadrën e Maradonës nuk është vendimtar ashtu si te Barcelona.