E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu i pergjigjet Fules Opozita i njollosi zgjedhjet

Qeveria quan përgjegjëse opozitën për komentin e Brukselit se në Tiranë zgjedhjet nuk ishin të mira. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu thotë se opozita duhet të bëj detyrën e saj për realizimin e reformave dhe sqaron se përse  procesi pas-zgjedhor në Tiranë morri një notë kritike nga faktori ndërkombëtar.

“Zgjedhjet në Tiranë për mënyrën se si më pas u interpretuan nga opozita për zhurmën dhe fjalorin jo të denjë dhe fyes, ofendues e kërcënues që kryetari I opozitës I bëri anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Pra të gjitha këto krijuan një situatë që zgjedhjet në Tiranë për mënyrën se si qe kjo performancë të mos konsideroheshin të mira dhe fjalia vazhdon: ‘se na bindën për nevojën e reformës zgjedhore’. Detyrimin e përbashkët për të ushtruar përgjegjësinë e përbashkët në axhendën kombëtare të integrimit të vendit, qeveria nuk e bën dot duke marrë rolin e opozitës”- tha Bregu.

Ministrja e Integrimit thotë gjithashtu se Partia Demokratike nuk ka ende asnjë përgjigje nga letra që Astrit Patozi i dërgoi Gramoz Ruçit për nisjen e punës për reformën zgjedhore.

“Unë ju rikujtoj letrën e fundit që zoti Patozi i dërgoi zotit Ruçi dhe ka më shumë se një javë që pret një përgjigje. Nëse vendos mosbesimin në procesin electoral kjo është dhe arsyeja e vetme sepse asnjëherë në komisionin e reformës zgjedhore zoti Rama apo përfaqësuesit e tij nuk kanë qenë seriozë për të sjellë propozime”- tha Bregu.

Deri në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, institucionet shqiptare duhet të përkthejnë legjislacionet e BE. Për këtë, Ministria e Integrimit u pajis me sistemin e kompjuterizimit të përkthimit TRADOS dhe ALterm e cila do u vendoset në dispozicion përkthyesve në të gjitha ministritë për materialet e Bashkimit Europian.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›