KE: Liberalizimi i vizave? Nuk keni plotësuar ende kushtet
Komisionerja për çështjet e brendshme, Cecilia Malmstrom: Shqipëria dhe Bosnja kanë ende për të bërë
Kandidatja për postin e Komisioneres për çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom, vlerësoi se dy vendet që mbeten pas në procesin e liberalizimit të vizave nuk i kanë plotësuar ende kushtet. Ministrja suedeze e çështjeve Europiane, që synon të zërë postin e Jacques Barrot, realizoi në Strasburg seancën dëgjimore me eurodeputetët. Gjatë saj, ishte Tanja Fajon, raportuesja e Parlamentit Europian për vizat që e pyeti Malmstrom se a mund të realizohet heqja e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën para pushimeve të verës.
Cecilia Malmstrom, kandidate për Komisionere për çështjet e Brendshme, tha se “nëse ne duhet të ruajmë kredibilitetin, njësoj si për çështjet e zgjerimit, duhet të respektojmë disa kritere”. Këto kritere, tha ajo, u plotësuan nga tri vendet e tjera, por nuk janë plotësuar ende nga Shqipëria dhe nga Bosnja. “Komisioni Europian është angazhuar t’i ndihmojë në këtë rrugë, puna duhet bërë nga ata vetë, pasi komisioni mund të mbështesë, por vendet duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë. Unë nuk mund të jap një datë, pasi ka ende punë për t’u bërë. Shpresoj se mund të arrijmë një marrëveshje gjatë këtij viti, por kjo do të varet nga plotësimi i kushteve”, nënvizoi Malmstrom. Raportuesja sllovene, Tanja Fajon, pyeti edhe për vendin e fundit në Ballkan, që as nuk e ka nisur procesin e dialogut për vizat, Kosovën.
Përgjigjja e Malmstrom konfirmoi edhe njëherë perspektivën e gjatë të këtij procesi për vendin më të ri në Ballkan, që nuk njihet ende nga pesë vende anëtare, nga 27 që numëron BE-ja. “Kur flasim për Kosovën, siç e dini Kosova nuk ka qenë pjesë e dialogut të vizave që nga fillimi. Komisioni dhe paraardhësi im ende në detyrë, zoti Barrot, janë angazhuar të punojnë me Kosovën për të parë se me çfarë mjetesh lehtësuese mund të punohet, por për këtë çështje unë do të vi sërish te ju për të dhënë shpjegime në të ardhmen”, theksoi Malmstrom. Procesi i dialogut për vizat nisi në fillim të vitit 2008 me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, e ndërsa Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi përfituan nga heqja e tyre për vendet Shengen më 19 dhjetor të vitit 2009, Shqipëria dhe Bosnja duhet të presin, për shkak të mosplotësimit të kushteve nga qeveritë e këtyre vendeve, ndërsa për Kosovën heqja e plotë e vizave duket ende një proces që pritet të marrë disa vite kohë.
#