E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu socialistëve: Lexoni raportin për të kuptuar regresin e kryetarit tuaj

Progres-raporti i Bashkimit Evropian për Shqipërinë ka qenë pikënisja e një debati të gjatë dje në Kuvend mes deputetëve. Ndonëse raporti që disponohej vetëm në anglisht, duke mos u lejuar të gjithëve deputetëve ta kuptonin, shpreh në mënyrë të qartë arritjen dhe problemet, deputetët e interpretuan politikisht atë, duke lënë vend edhe për akuza të rënda. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha se Shqipëria ka njohur progres të dukshëm, por sipas saj, ka vetëm një pikë që ka regres të madh, që sipas saj është puna e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, me lejet e ndërtimit. Bregu ironizoi Ramën, si një personazh i veprës së Kadaresë, duke e cilësuar si “kryetarin e pallatit të ëndrrave”. “Kryetari i pallatit të ëndrrave s’e ka kuptuar akoma se ritmi i integrimit të vendit nuk ndjek tik-takun e orës së tij. Ritmi ynë njeh dhe rrokatet të kapë vetëm tik-takun e BE-së dhe këtë duket se e tregon qartë dhe progres-raporti i këtij viti, për të cilin me bindje them se është raporti më i mirë për Shqipërinë në gjithë këto vite. Dhe këtë nuk e them vetëm për të konsumuar retorikë”, - tha Bregu, e cila shtoi se “lejet e ndërtimit në Tiranë kanë rënë me 40 për qind në 2007-ën”, dhe sipas saj, kjo ka ndodhur për shkak se Rama për çdo leje ndërtimi kërkon 15 për qind të vlerës së ndërtimit. Ndryshe nga deklaratat e tjera, ministrja Bregu la të nënkuptuar se Komisioni Evropian është tepër i informuar në lidhje me punën e Bashkisë së Tiranës, veçanërisht për akuzat e ngritura për menaxhimin e hapësirës. Deklarata e Bregut nuk u kalua në qetësi, pasi ajo u kërkoi të majtëve të lexojnë edhe një herë raportin.

Opozita

Deputetë të Partisë Socialiste akuzuan punën e dobët të qeverisë, madje sipas tyre, lufta kundër korrupsionit ka dështuar. “Si mund të krenohet qeveria për këtë progres-raport ku aty nuk kishte progres. Raporti bën kritika për Parlamentin, për punën e qeverisë. Pjesa më e errët në raport është pikërisht korrupsioni ...Shqipëria mbetet ende një lavariçe korrupsioni”, - tha deputeti i PS-së, Taulant Balla. Deputetja e PS-së, Ermelinda Meksi, kritikoi qeverinë për realizmin e reformave. “Ambasadori i KE-së në Tiranë, Lohan, e tha qartë, e tha saktë që reformat janë plotësuar si gota e mbushur përgjysmë. Nuk shoh këtu çfarë s'kemi kuptuar ne nga raporti”, - tha Meksi. Ministrja Bregu u kundërpërgjigj duke thënë se “ne s’e mohojmë që korrupsioni mbetet ende problem serioz, por jo se qeveria nuk ka punuar ende në këtë drejtim”. Ajo shtoi se puna e qeverisë nuk ka të krahasuar me asnjë lloj ritmi të mëparshëm. Bregu shtoi më tej, duke thënë se opozita po zhvillon një identitet të bazuar mbi gënjeshtrën. “Çudi se si nuk keni fjalë të thoni për shifrat që bëjnë ndryshimin. Ju nuk keni ç’të thoni për vlerësimin që progres-raporti u bën përpjekjeve të qeverisë në luftën kundër korrupsionit, perceptimit mbi korrupsionin që është përmirësuar, megjithëse ai mbetet ende një problem serioz, të cilin qeveria është e vendosur ta luftojë deri në zhdukje me zero tolerancë. Unë nuk e vë në dyshim të nderuar zotërinj të këtij krahu se vizionin edhe ju e keni të mirë, por dallimin mes jush dhe nesh e bëjnë instrumentet e përdorura. Jam e bindur që identiteti juaj politik nuk mund të jetë kundër një identiteti evropianist, ku rregulli më minimal që duhet respektuar është: “E vërteta nuk flaket, thjesht duhet pranuar”, - u kundërpërgjigj Bregu.

Deputetët protestojnë për raportin në anglisht

Seanca e djeshme parlamentare, e cila u dominua nga debati për progres-raportin e BE-së për Shqipërinë, pati vetëm pak protagonistë, kjo për një shkak të vetëm. Një pjesë e deputetëve nuk pranuan të flisnin, pasi nuk e kishin lexuar raportin, dhe kjo për shkak sepse nuk dinë të komunikojnë në gjuhën angleze. Raporti, i shkruar në anglisht, iu shpërnda deputetëve, por një pjesë e tyre kërkuan llogari tek kryetarja Jozefina Topalli për mungesën e përkthimit. Kjo kërkesë shkaktoi të qeshura në sallë si dhe një debat mes kryetares dhe deputetes Rajmonda Stefa, e cila kërkoi përkthimin e raportit. Seanca e djeshme u dominua nga deputetët të cilët falë njohurisë në gjuhën angleze, analizuan raportin. Edhe pse ky raport kërkon një vëmendje nga çdo parlamentar për ta diskutuar, atë e analizuan deputetët e përhershëm dhe më të angazhuar në Kuvend, si nga ana e deputetëve të mazhorancës, ashtu edhe nga ata të opozitës.

Bode: Progresi në tatime dhe dogana, më i madhi

Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi dje në Kuvend gjatë debatit për progres-raportin e KE-së se konfirmon progresin e konsiderueshëm të bërë nga qeveria shqiptare dhe institucionet e shtetit shqiptar në procesin e anëtarësimit dhe përafrimit në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian. Ai vuri në dukje se në këtë raport evidentohet progresi i bërë në harkun e një viti nga institucionet e shtetit shqiptar, në mënyrë të veçantë nga qeveria, nga administrata fiskale, në dogana dhe tatime, në procesin e tenderimeve dhe në të gjitha shërbimet publike, për uljen e nivelit të korrupsionit. “Fakti që në harkun e një viti qeveria shqiptare mundësoi të përmirësojë koeficientin e perceptimin të korrupsionit sipas raportit të Transparency International me 0,7 pikë, duke qenë vendi me progresin më të madh në të gjithë Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor, që përbën njëkohësisht elementin më të dukshëm të angazhimit dhe të programit antikorrupsion të qeverisë shqiptare”, - tha Bode. Në fjalën e tij, ai përmendi edhe faktin se në raport theksohet edhe një herë që stabiliteti makroekonomik i Shqipërisë përbën një nga asetet më të mëdha të ekonomisë shqiptare dhe një nga instrumentet më efikase në rritjen e shpejtë ekonomike të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›