E Diel, 1 Nëntor 2026

PS’91, përfundon konstituimi në njësinë nr. 7

Përfundoi dje procesi i konstituimit të strukturës drejtuese të PS’91 për minibashkinë nr. 7 të kryeqytetit. Socialistët e kësaj njësie, që numëron rreth 65 mijë banorë, miratuan ekipin drejtues të partisë dhe u angazhuan për ngritjen e organizatave socialiste ‘91 në çdo qendër votimi. Struktura organizative në minibashkitë e Tiranës do jetë e rangut të rrethit. Kryetar u zgjodh Erion Qosja dhe ne sekretariat Shpresa Stefani, Eglantina Zere e Agim Cena. Kryetari i PS’91 Petro Koçi, u përqendrua në momentin e rëndë në të cilin po kalon demokracia. 'Rama dhe Berisha po kërkojnë të sundojnë mbi jetën e çdo shqiptari. Ata duan të eliminojnë çdo alternative ndryshe dhe të emërojnë Parlamentin e ardhshëm. Koalicioni i tyre e ka kthyer vendin në krizën e ‘96-‘97-s. Më tej, Koçi vuri në dukje se “detyra jonë është t’i kundërpërgjigjemi kësaj strategjie të ulet me kurajo qytetare”. “Çdo mjet demokratik është i justifikuar përballë rrezikut të varrimit të demokracisë”, - përfundoi kreu i PS’91.

Dade e Gjoni, takime në SHBA

Sekretarja dhe nënsekretari për marrëdhëniet me jashtë të PS-së, Arta Dade dhe Ilir Gjoni, patën një takim pune me zotin Stjuart Xhons, ndihmësasistent i Sekretarit për çështjet Evropiane dhe Aziatike si dhe me drejtorin për Evropën Juglindore në DASH, zotin Xheison Ajlend. Në takim ishte i pranishëm edhe referenti për Shqipërinë, zoti Xheri S. Ismail. Stjuart Xhons tha se SHBA-ja do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje në rritje zhvillimet politike në Shqipëri si dhe konsolidimin e respektimin e standardeve të demokracisë dhe funksionimin e institucioneve të pavarura. Përfaqësuesit e PSSH-së informuan për ecurinë e procesit të përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme. Ata shprehën shqetësimin për vonesat në përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, si dhe kërkuan vëmendje më të madhe nga ana e institucioneve ndërkombëtare që merren me monitorimin e zgjedhjeve që ky monitorim të fillojë që tani. Gjithashtu, përfaqësuesit e PSSH-së ndanë shqetësimin se arritjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk janë të prekshme dhe në këtë drejtim PSSH-ja ka inkurajuar dhe inkurajon strukturat ligjzbatuese të vazhdojnë me kurajo luftën si ndaj krimit, ashtu dhe për ruajtjen e pavarësisë së tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›