E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriminelët e luftës mund të vuajnë dënimin në Shqipëri

Ligjvënësit shqiptarë votuan dje në Kuvend me 81 vota pro dhe 1 abstenim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Kombeve të Bashkuara për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve për ish-Jugosllavinë”. Projektligji në fjalë i hap rrugën bashkëpunimit mes shtetit shqiptar dhe Gjykatës së Hagës për sa i përket trajtimit të kriminelëve të luftës. Me anë të kësaj marrëveshjeje, Shqipëria mund të strehojë në burgjet e saj çdo të kriminel lufte që dënohet nga Gjykata e Hagës, por që kërkohet që të kryejë dënimin në Shqipëri. Pavarësisht se një marrëveshje të tillë e kanë nënshkruar mjaft vende në Evropë, Serbia e ka kundërshtuar këtë marrëveshje, madje e ka cilësuar edhe si të pakuptimtë. Autoritetet serbe kanë protestuar ashpër në lidhje me marrëveshje mes Gjykatës së Hagës dhe Shqipërisë. Në muajin tetor, pasi u njoh fillimisht me marrëveshjen, Serbia i dërgoi menjëherë një notë proteste Gjykatës së Hagës kundër marrëveshjes me Shqipërinë, sipas së cilës disa të burgosur lufte do të dërgohen në burgjet shqiptare. Drejtori serb i zyrës së bashkëpunimit me Hagën, Dusan Ignjatoviç, shprehu shqetësimin e Beogradit ndaj vendimit të Gjykatës së Hagës për këtë marrëveshje. Arsyeja bazë e protestës serbe ka qenë gjendja e burgjeve në Shqipërisë, që sipas autoriteteve serbe, mungojnë kushtet minimale që kriminelët e tyre të luftës të shlyejnë dënimin në to. Marrëveshja për të burgosurit për krime lufte mes Hagës dhe Shqipërisë u firmos më 19 shtator të këtij viti nga ambasadori ynë në Holandë, Roland Bimo dhe sekretari i Gjykatës Ndërkombëtare, Hans Holthaus. Në bazë të nenit 1 dhe 2 të marrëveshjes, shteti shqiptar me një kërkesë zyrtare drejtuar Tribunalit, ka të drejtë të kërkojë që një apo disa kriminelë lufte, pa dallim nacionaliteti, ta vuajnë dënimin në burgjet shqiptare. Kjo do të thotë se Shqipëria gëzon të gjitha të drejtat për të kërkuar që dënimin e dhënë nga Tribunali për masakrat e bëra në Kosovë, gjeneralët famëkeq serbë, ta vuajnë në burgjet shqiptare. Në listën e vendeve që kanë nënshkruar një marrëveshje të tillë janë gjithsej 16 shtete evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›