E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestojnë ish-pronarët: Të rishikohet harta e vlerës së tokës

Qeveria i hapi rrugën me anë të një vendimi kompensimit të ish-pronarëve që u është marrë toka për ndërtime pa leje, por ish-pronarët apelojnë se nuk po zbatohet ligji. Sekretari i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me drejtësi” Agim Toro, tha dje se qeveria ka shkelur ligjin e legalizimeve me anë të këtij vendimi. “Ligji i legalizimeve thotë se 80 për qind e fondit që krijohet nga procesi i legalizimeve, pra që do të merret nga ata që do të paguajnë për ndërtimet, do të shkojë për ish-pronarët e trojeve. Por fondi i vendimit është marrë nga 500-milionëshi i cili është votuar nga Kuvendi në buxhetin e shtetit për të kompensuar ish-pronarët të cilit presin me vite. Nuk ka kuptim që këtë fond ta shkurtosh në njërin krah dhe ta kalosh në krahun tjetër”, - tha Toro, i cili u shpreh se procesi duhet të ecë më me shpejtësi për sa i përket kompensimit të ish-pronarëve. Reshit Vorpsi, nga ana tjetër, ngriti një tjetër problem, atë të vlerës me të cilën do të dëmshpërblehen ish-pronarët. Sipas tij, ish-pronarët do të kompensohen me vlera qesharake. Ai kërkoi rishikimin e hartës së vlerës së tokës. “Marrim për shembull Bathoren, ku toka sot vlerësohet mbi 200 euro. Kur t’u legalizohet shtëpia banorëve atje, ata do të mund ta shesin me këtë vlerë, por për ish-pronarët, vlera e kompensimit në këtë vend është vetëm 1 300 lekë ose afërsisht 10 euro”, - tha Vorpsi, i cili shtoi se kjo situatë duhet korrigjuar me shpejtësi. Vetëm dy ditë më parë, qeveria hapi rrugën e kompensimit të ish-pronarëve që u është marrë toka për të ndërtuar pa leje. Qeveria ka vënë në dispozicion më shumë se 252 milionë lekë të reja ose afërsisht 2.2 milionë euro për të realizuar këtë kompensim. Shpërblimi do të prekë qarkun e Tiranës, Vlorës dhe Elbasanit dhe ata që do të përfitojë nga ky shpërblim, do të jenë rreth 80 familje në këto katër qarqe. Në vendimin e saj, qeveria shprehej se në bazë të ligjit për legalizimin e zonave informale qeveria vendosi “shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale, në qarqet e Tiranës, të Shkodrës, Vlorës dhe Elbasanit. Pronarët e pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen e zënë nga ndërtimet informale, të shpërblehen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi për sipërfaqen 57 377m2, tokë truall, me vlerën e 2.2 milionë eurove. Ligji ka përcaktuar se 3 muaj pas daljes së listës së emrave që duhet të kompensohen për tokën e zënë, duhet të përfundojë ky proces. ALUIZNI është bërë gati që të japë rreth 200 mijë leje legalizimi. Evidentimi paraprak ka nxjerrë se një e treta e këtyre ndërtimeve pa leje janë ndërtuar në tokën e ish-pronarëve, çka rezulton paraprakisht se bëhej fjalë për një shifër që shkon deri në 80 mijë ndërtesa pa leje në tokë të huaj. Ish-pronarët e truallit të këtyre ndërtimeve do të përfitojnë menjëherë, pasi ligji i ri i legalizimeve, i miratuar me zhurmë pak muaj më parë, sanksionoi që brenda tre muajve nga dhënia e lejes së legalizimit, ish-pronari do të përfitojë paratë e kompensimit financiar të tokës së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›