Fitorja e Obamës frymëzon Edi Ramën
Fitorja e Barak Obamës, si Presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ka frymëzuar aq shumë kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, sa të deklarojë se në 2009-ën e njëjta erë ndryshimi do të kalojë në qershor të 2009-ës edhe në Shqipëri. Në një komunikim me mediat për progres-raportin e KE-së për vendin tonë Rama tha se me siguri që në qershor të 2009-ës era e ndryshimit që sapo ka filluar të fryjë në SHBA, do të nisë të fryjë edhe në Shqipëri. “Era e madhe e ndryshimit që filloi të fryjë dje në SHBA, pa asnjë dyshim do të fillojë të fryjë qershorin e ardhshëm edhe në Shqipëri, kur shqiptarët do t'i japin Sali Berishës dhe oborrtarëve të tij shuplakën e merituar për 4 vjet premtime të pambajtura dhe dështime të padurueshme”, - theksoi Rama. Referuar raportit të Komisionit Evropian, i cili këtë vit është shumë herë më pozitiv se në vitet e tjera, kreu i PS-së vuri në dukje se Kryeministri Berisha nxitoi që të rendiste sukseset e tyre para se të lexonte gjithë raportin. Ndër të tjera ai vuri në dukje se këta drejtues jo vetëm nuk kanë asnjë aftësi për ta çuar këtë vend përpara, jo vetëm që nuk kanë asnjë përgjegjshmëri në raport me detyrën kundrejt shqiptarëve, por nuk kanë as edhe një skrupull në përpjekjet për të fshehur të vërtetat e hidhura të keqqeverisjes së tyre, me gënjeshtra dhe shpifje, madje edhe akuza për opozitën.