E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, 15 milionë lekë për Llakatundin

Kryeministri Berisha ishte dje në zonën e Llakatundit për përurimin e përfundimit të punimeve për rrugën e qendrës së LLakatundit, me gjatësi 900 metra, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 15 milionë lekë. Në takimin me banorët e zonës, duke u uruar për rrugën e re, Kryeministri premtoi se në mandatin e ardhshëm qeverisës do të investohet për zonën 4 herë më shumë sesa investimet aktuale. Kryeministri Berisha kërkoi nga pushteti vendor angazhimin maksimal për hartimin e projekteve në sektorë të ndryshëm, duke siguruar se nga qeveria nuk do të mungojnë financimet për realizimin e tyre me qëllim përmirësimin dhe modernizmin e jetës së banorëve të zonës.

“Mandatin tjetër, shqiptarët ujë 24 orë”

Mandatin tjetër, duke çliruar fondet nga rrugët do të jenë ujësjellësit që do të zëvendësojnë përparësinë e madhe në mënyrë që shqiptarët të kenë ujë 24 orë. Këtë siguri dha dje Kryeministri Sali Berisha gjatë përurimit të investimit të qeverisë 81.5 milionë lekë për ujësjellësin e fshatrave Risili, Qeprap, në komunën Llakatund. Berisha siguroi se për qeverinë mbetet përparësi që t’u krijojë qytetarëve shqiptarë kushte dhe standarde bashkëkohore sa më të përafërta me ato të qytetarëve evropianë. “Janë një seri projektesh në rrugë të fshatrave të kësaj zone, në ujësjellës, qendra shëndetësore etj. Qeveria ka si përparësinë e saj më kryesore tëu krijojë qytetarëve shqiptarë kushte, standarde, të përafërta, madje të njëllojta me të qytetarëve të tjerë evropianë”, - tha z. Berisha. Kryeministri garantoi se në të ardhmen investimet për ujësjellësit do të jenë edhe më të mëdha, duke u dhënë në këtë mënyrë një përgjigje përfundimtare problemeve të furnizimit me ujë të popullatës, në mbarë vendin.

Bogdani: Rama mashtron me politikën e re

Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, akuzoi dje kryesocialistin Edi Rama se po mashtron nën moton e politikës së tij të re. Ai denoncoi përpjekjet e Ramës për të hedhur baltë mbi reformat e qeverisë, të evidentuara qartë në progres-raportin e KE-së. Bogdani deklaroi dje: "Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, shpalosi vetë qëndrimin ndaj raportit të Këshillit të Evropës, nën dritën e politikës së re të tij, të mbushur me nihilizëm, që tregon se z. Rama, asnjë raport nuk di të lexojë, por di vetëm të mashtrojë, duke harruar se raportin e Këshillit të Evropës ia bëri të njohur shqiptarëve në tërësi komisioneri Oli Ren, i cili pohoi se Shqipëria ka bërë progres në pikat kyçe, si dhe në konsolidimin e demokracisë”, - tha z. Bogdani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›