Bregu takon negociatorin kroat të BE
Në prag të aplikimit të Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, takoi dje kryenegociatorin kroat për integrimin në Union, Vladimir Drobnjak. Zyrtari i lartë kroat do të konsultohet me zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare si dhe me atë pjesë të administratës shtetërore, e cila koordinon procesin e integrimit për të dhënë kështu një kuadër të përgjithshëm të eksperiencës kroate në rrugën e saj drejt anëtarësimit. "Përvoja kroate është me vlerë, sepse do ta ndihmojë Shqipërinë që të shkurtojë kohë dhe të mos përsërisë gabimet që kanë bërë vendet e tjera në etapat e procesit të integrimit", tha Bregu. Nga ana e tij, Drobnjak theksoi se e rëndësishme është që administrata shtetërore të jetë e ndërgjegjshme që volumi i punës sa vjen e shtohet dhe se për vendet që presin të anëtarësohen do të ketë më shumë kërkesa sesa ka pasur për vendet që tashmë janë anëtarësuar.