KLSH: Qeveria, 40 milionë USD dëme
Aristir Lumezi
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paraqitur në Kuvend raportin vjetor të 2008-ës, ku konstatohen shumë shkelje dhe dëme ekonomike. “Në përfundim të kontrolleve të ushtruara gjatë vitit 2008 janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 4 miliardë e 46 milionë e 635 mijë lekë të reja”, thuhet në raportin vjetor të KLSH-së. Sipas këtij institucioni, ky dëm efektiv i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare të ushtruar në periudhën kohore 2006, 2007 dhe 9- mujorin e 2008-ës. Raporti shprehet se nga vlera e përgjithshme e dëmit efektiv të sipërcituar, KLSH ka rekomanduar zhdëmtimin në shumën e 4 miliardë 32 milionë e 455 mijë lekë të reja, ose në masën 99.6 për qind. Në qendër të punës kontrolluese të këtij institucioni ka qenë zbatimi i buxhetit faktik të shtetit. Kështu janë zhvilluar kontrolle në 85 ministri dhe institucione qendrore shtetërore, organe të pushtetit vendor dhe agjenci apo projekte të tjera që operojnë fondet buxhetore. Shkeljet e mëdha janë bërë sipas raportit në fushën e prokurimeve publike me vlerë 195.769 mijë lekë. Nga 50 subjektet e kontrolluara në fushën e prokurimeve, në 37 prej tyre janë gjetur shkelje të procedurave të prokurimit. Dëmet më të mëdha janë vërejtur në bashkinë e Shkodrës me 53 milionë e 793 mijë lekë të reja, duke përfunduar listën e gjatë të institucioneve të kontrolluara me Spitalin Ushtarak, me 2 milionë e 428 mijë lekë të reja. Edhe në fushën e urbanistikës dëmi i konstatuar kap vlerën e 153 milionë e 737 mijë lekë të reja i shkaktuar nga 5 subjekte të kontrolluara, kryesisht në mospagesë të taksës së infrastrukturës. Edhe sektori i tatim-taksave paraqet dëm të madh ekonomik në buxhetin e shtetit. Vlera e dëmit kap shumën e 144 milionë e 951 mijë lekëve të reja si pasojë e mospagesë së detyrimeve tatimore. Nga kontrolli i institucioneve qendrore, 9 ministri, 18 institucione qendrore dhe drejtori të përgjithshme etj., është konstatuar një dëm financiar prej 8 miliardë e 783 milionë e 830 mijë lekë të reja. Këto shkelje janë konstatuar kryesisht në shkeljen e procedurave të prokurimeve publike, që zënë mbi 50 për qind të totalit të shkeljeve të konstatuara. Nga 402 procedurat e prokurimit të kontrolluara, rezultojnë me shkelje 241 prej tyre ose në masën 60 për qind e tyre. Shkelje dhe dëm ekonomik KLSH-ja vëren edhe në projektet me financime të huaja. Dëmet financiare në financimet e huaja për projekte në Pogradec, qendrën spitalore Tiranë etj., kapin shumën 119.793 mijë lekë.
Të ardhurat
Gjatë kontrollit vjetor të KLSH-së, dëm ekonomik në shuma të mëdha janë vërejtur edhe në të ardhurat që duhet të realizoheshin në buxhetin e shtetit. Në 22 kontrolle të niveleve të ndryshme të tatim-taksave, efektet negative në grumbullimin e të ardhurave tatimore nga sistemi tatimor dhe doganor, për llogari të buxhetit të shtetit të vitit 2008, janë llogaritur në vlerën e 2 miliardë e 413 milionë e 930 mijë lekëve të reja, nga të cilat 1 miliard e 461 milionë e 795 mijë lekë të reja në sistemin e tatim-taksave, 257 milionë e 476 mijë lekë të reja në sistemin e taksave dhe tarifave vendore dhe 694 milionë e 656 mijë lekë të reja në sistemin doganor.
Tabela me shkeljet (në mijë lekë)
Në sektorin e tatim-taksave 1.887.633
Në fushën e prokurimeve publike 779.815
Në sektorin doganor 694.656
Në fushën e Urbanistikës 153.737
Në fushën e shpenzimeve operative 116.119
Në fushën e shpërblimeve 26.363
Në fushën e sistemit të pagave 24.372
Në fushën e shitjes e dhënies
me qira të pasurisë shtetërore 11.962
Në inventarizimin e aseteve
mungesë materiali 2.148
Në fusha dhe sektorë të tjerë 349.830
Dëmi ekonomik në të ardhurat
Tatim-taksa 1.461.795
Taksa dhe tarifa vendore 257.479
Sistemi doganor 694.656