Miratohet projektligji, banorët e pallateve detyrohen të paguajnë administrator
Demokratët dhe socialistët kanë miratuar gjatë mbledhjes së djeshme në Komisionin e Ligjeve projektligjin e hartuar nga Ministria e Transporteve për administrimin e objekteve të përbashkëta në ndërtesat e banimit. Projekti në fjalë synon regjistrimin në ZRPP dhe marrjen e aktit të bashkëpronësisë për territoret e përbashkëta në pallatet e banimit. Në bazë të këtij drafti, banorët e pallateve duhet të krijojnë Asamblenë e Pronarëve, e cila do të kontraktojë administratorin për mirëmbajtjen e territorit të përbashkët. Po kështu, banorët do të duhet të paguajnë një tarifë, e cila përcaktohet nga Asambleja. Kjo tarifë financiare do të shërbejë për të paguar administratorin, si dhe për të kryer rikonstruktime, për të mbajtur pastër ambientin e pallatit etj. Deputeti socialist, Bashkim Fino, duke vlerësuar draftin, shprehu dyshimin për realizimin në praktikë të tij për shkak se nuk merr parasysh nëse janë në gjendje financiare këto familje për të paguar për mirëmbajtjen e territorit të përbashkët. “E vlerësoj hartimin e këtij projektligji, megjithëse e konsideroj të vonuar, pasi është mjaft i rëndësishëm për të gjithë shoqërinë. Por ajo që më shqetëson është se sa garanci jepet në zbatimin në praktikë të këtij drafti. E them këtë pasi ka mjaft njerëz apo familje që kanë apartamente dhe që duan të kontribuojnë për ambientin e përbashkët, por që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme, disa janë familje në nevojë, disa janë pensionistë, të tjerë kanë të ardhura të ulëta. Pra nuk është marrë në konsideratë kjo. Më duket qesharak parashikimi në draft se do të ndihmohen duke u dhënë kredi, në një kohë kur jemi në krizë ekonomike”, - është shprehur Fino.
Edhe relatori i projektit, Besnik Dervishi, e përmendi këtë çështje të draftit. “Në dispozitat e projektligjit nuk është marrë parasysh gjendja financiare e bashkëpronarëve, pasi në ligje të veçanta, për kategori të veçanta janë parashikuar lehtësi financiare për personat në nevojë”, - është shprehur Dervishi. Socialistët kërkuan organizimin e diskutimeve me grupe të ndryshme në interesit, si dhe me përfaqësues të pushtetit lokal në mënyrë që projektligji, pas hyrjes në fuqi, të gjejë zbatim.
19 Mars 2009