E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet 2009, fushata të pasura me parti të “varfra”



Në prag të fushatës zgjedhore mësohet se arkat e partive politike janë bosh. Kjo për faktin se anëtarët e partive nuk kanë paguar rregullisht kuotizacionet. Burime nga selia blu bëjnë të ditur se anëtarët e saj nuk kanë derdhur në arkën e partisë shumën simbolike të parave që nevojiten për të mbajtur teserën e partisë dhe për të kontribuar financiarisht, sado pak për partinë. Megjithatë, duket se kjo nuk përbën problem për Partinë Demokratike, pasi tashmë që ka pushtetin në dorë, ka gjithë “arkën” e shtetit për të plotësuar nevojat e saj financiare. Kështu, kohët e fundit, megjithëse nuk ndodhemi ende zyrtarisht në fushatë zgjedhore, qeveria ka zgjedhur të bëjë reklamë për punët e saj, kur në çdo plan televiziv shfaqen banderolat e Partisë Demokratike. Të gjitha këto reklama televizive, çmimi i të cilave është i kripur, paguhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Megjithatë, pritet që arka e PD-së të mbushet në prag të fushatës zgjedhore.
Statuti
Në statutin e PD-së, pikërisht në Nenin 12 të saj, shkruhet qartësisht se “anëtarë të PD-së janë të gjithë ata që kanë bërë anëtarësimin e tyre individual; që kanë paguar kuotizacionin vjetor (mospagimi për dy vjet resht humbet të drejtën e anëtarësisë në parti)”. Pra, në rast se nuk paguhen kuotizacionet, anëtari humbet të drejtën e anëtarësisë së parti. Por duket se kjo pikë e statutit të PD-së, ashtu si dhe shumë pika të tjera të tij, nuk respektohen rigorozisht. Më tej, në Nenin 14 të Statutit, shkruhet se “masa e kuotizacionit vjetor dhe shpërndarja e saj ndërmjet selisë qendrore dhe strukturave lokale përcaktohen çdo vit nga Kryesia e PD-së. Kryesia mund të përcaktojë një masë kuote më të reduktuar për organizatat partnere. Kuotizacioni duhet të paguhet brenda 60 ditëve nga data e thirrjes për pagimin e tyre. Me përfundimin e afatit të njoftuar për pagimin e kuotizacionit, anëtarët që nuk e kanë paguar atë humbasin të drejtën e votës deri në rinovimin e anëtarësisë”. Sipas burimeve, të vetmit që paguajnë kuotizacion javë vetëm deputetët. Këtyre mësohet se u mbahet një shifër simbolike nga rroga që marrin në Kuvend për pozicionin e deputetit.
Fushata
Fushata zgjedhore për Kuvendin e ardhshëm të Republikës së Shqipërisë pritet të jetë ndër më të shtrenjtat. Tashmë është bërë e udhës që partitë kontraktojnë kompani të huaja për të organizuar sa më bukur në mënyrë që të tërheqë vëmendjen një fushatë zgjedhore. Edhe PD-ja, ashtu sikurse veproi gjatë fushatës së vitit 2005, pritet që edhe gjatë vitit 2009 të kontraktojë një kompani amerikane për të organizuar fushatën. Në prag të zgjedhjeve pritet gjithashtu që arka e partisë të mbushet me financime të anëtarëve të thjeshtë, të simpatizantëve, por edhe të kandidatëve për deputetë, kryesisht atyre që janë biznesmenë. Megjithatë, aktualisht ajo që vihet re është përdorimi i parave të taksapaguesve në financimin e reklamave televizive të partisë në pushtet.

19 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›