Bregu u përgjigjet kritikave “Qeveria respekton pavarësinë e institucioneve”
Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, u është përgjigjur kritikave të ndërkombëtarëve drejtuar qeverisë për cenim të pavarësisë së Prokurorisë së Përgjithshme me raportin e “Freedom House”. Në raportin më të fundit “Freedom House” e ka nxjerrë Shqipërinë në vendin e parë në rajon për respektimin e institucioneve të pavarura. Bregu, gjatë fjalës së mbajtur në konferencën e djeshme për shtyp, theksoi se raporti vlerëson punën e bërë nga qeveria për miratimin e ligjeve në Parlament, që vijnë si detyrim i përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Europian, sikurse është ligji i organizimit të Gjyqësorit, mbrojtja e të dhënave personale, ndryshimet në ligjin për falimentimin, ndryshime dhe shtesa në ligjin për të drejtat e të dënuarve me burgim apo ndryshimet e bëra në Kodin Penal për mbrojtjen e të drejtave të minorenëve. Gjithashtu në këtë raport vlerësohen dhe projektligjet e hartuara tashmë nga Ministria e Drejtësisë me ekspertë të huaj dhe vendas. Sipas “Freedom House”, qeveria ka miratuar një sërë ligjesh që presin miratimin e Parlamentit, ndërsa diskutohen në Komisionin e Ligjeve dhe me grupet e ndryshme të interesit, sikurse është projektligji për administratën gjyqësore dhe ndryshime në Kodin Penal për përmirësimin e dispozitave lidhur me alternativat e dënimit dhe ngritjen e Shërbimit të Provës. Po kështu, Bregu ka bërë të ditur se raporti i “Freedom House” vlerëson punën që ka nisur Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me ekspertët e huaj për hartimin e projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. Sipas “Freedom House”, nga vendi i fundit që ishte në vitin 2005, këtë vit Shqipëria renditet në vendin e parë në rajon, duke përmirësuar indeksin me 0.5 pikë, nga 4.5 në 4.00. E pyetur për kritikat e bëra ditët e fundit nga faktori ndërkombëtar në Tiranë, Bregu i është referuar rezultatit të raportit të bërë publik nga “Freedom House”. “Besoj se edhe ajo për të cilën unë jam këtu sot, pra pikërisht për të përshëndetur raportin e ‘Freedom House’ për ruajtjen dhe respektimin e pavarësisë së institucioneve dhe shkallëve që ka ngjitur Shqipëria si vendi i parë në rajon në këtë raport, duke lënë pas vende të cilat janë shumë më përpara në hapat e tyre drejt Bashkimit Europian, tregon se asgjë nuk ka më të rëndësishme për këtë vend dhe për këtë qeveri sesa respektimi i pavarësisë së institucioneve”, - është shprehur zëdhënësja e qeverisë. Bregu gjithashtu bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë ka hartuar rreth 95% të projektligjit për Prokurorinë, ndërkohë që po diskutohet rreth kufizimit ose jo të imunitetit të aktorëve të sistemit të drejtësisë.
21 Tetor 2008