“Partitë politike financohen nga sponsorë ilegalë, që ndikojnë në vendimmarrje”
Eljona Ballhysa
“Transparency International” ka konstatuar se partitë politike në Shqipëri financohen nga sponsorë ilegalë, që ndikojnë në procesin e vendimmarrjes. Gjatë një konference për shtyp “Transparency International Albania” ka shprehur shqetësimin për mungesën e transparencës së burimeve financiare të partive politike. Ky reagim ka ardhur vetëm disa javë pas miratimit nga Komisioni Parlamentar për Kodin Zgjedhor të disa dispozitave që lidhen me financimin e partive politike. Por, sipas përfaqësuesit të “TIA”-s, Kliton Zguri, dispozitat që janë miratuar nga komisioni për Kodin Zgjedhor janë të vonuara dhe të pamjaftueshme për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Për këtë arsye Zguri i bën thirrje politikës që të organizojnë një seancë dëgjimore për propozimet e ekspertëve të “Transparency International Albania”.
Kritikat
“Transparency Interantional konstaton me keqardhje se ende ka një sërë problemesh madhore në financat e partive politike dhe kjo situatë ka mbetur tërësisht e pandryshuar prej vitesh. Partitë politike në vend vazhdojnë të cenojnë një nga detyrimet e tyre kryesore kushtetuese, bërjen publike të çdo lloj burimi financiar. Ato vazhdojnë te fshehin në mënyrë të vazhdueshme deklarimin e burimeve të tyre private”,- është shprehur Zguri. Ai ka vënë në dukje faktin se në Shqipëri vazhdon të mungojë një kuadër i veçantë ligjor për këtë çështje. Sipas Zgurit, financimet nga subjektet private, donacionet, dhuratat, apo ndihmat që japin shoqëritë tregtare, në favor të partive politike, mbeten ende një privilegj jashtë çdo kontrolli fiskal dhe ligjor. Po kështu “Transparency International” ka vënë në dukje faktin se partitë politike nuk kanë bërë ende asnjë përpjekje për auditimin e brendshëm të financave të partive. Mungesa e transparencës në raportimin e aktivitetit ekonomik të partive politike konsiderohet nga “TIA” si një veprimtari informale. “Shoqëritë tregtare, të cilat janë financueset më të mëdha, nuk janë të interesuara t’i formalizojnë këto marrëdhënie dhe donacionet e tyre, pasi në thelb kanë interesa të ngushta për të përfituar në proceset e prokurimeve, privatizimeve, sipërmarrjeve publike etj. Ata kthehen kështu jo vetëm në partnerë në abuzimin me pushtetin, por edhe influencues në vendimmarrje të rëndësishme politike, ekonomike dhe institucionale”, - është shprehur përfaqësuesi i “TIA”-s. Kjo veprimtari, sipas Zgurit, mund të quhet ndryshe korrupsion politik, i cili në Shqipëri ndodhet në nivelin më të lartë. “Transparency Interantional në Shqipëri konstaton se informaliteti, mungesa e transparencës dhe e kuadrit ligjor, mungesa e kapaciteteve dhe mekanizmave të kontrollit në financimet, kryesisht nga bizneset dhe subjektet private në favor të partive politike, ka krijuar një terren të përshtatshëm për një nivel të lartë të korrupsionit politik”, - është shprehur Zguri.
Kodi Zgjedhor
Sipas përfaqësuesit të “TIA”-s, edhe ndryshimet e miratuara vetëm pak kohë më parë nga Komisioni Parlamentar për Kodin Zgjedhor janë të pamjaftueshme për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Për këtë arsye, Zguri ka kërkuar që ky komision parlamentar të organizojë një seancë dëgjimore për të marrë në konsideratë propozimet e ekspertëve të “TIA”-s.
“TIA vlerëson çdo përpjekje për të përmirësuar këtë situatë nga Kuvendi i Shqipërisë, por i quan të pamjaftueshme vetëm disa dispozita të cilat mund të përfshihen në legjislacionin elektoral, pasi transparenca e financimeve të partive nuk është vetëm një çështje e izoluar në periudha zgjedhjesh. Duke qenë se shumë pak kohë na ndan nga përfundimi për herë të dytë i afatit të veprimtarisë së këtij Komisioni, ‘Transparency International’ i kërkon Kuvendit mundësinë e një diskutimi transparent dhe realizimin e një seance dëgjimore me pjesëmarrje të gjerë si dhe pjesëmarrje të ekspertëve të saj”,- është shprehur Zguri. Sipas tij, “Transparecy Interantional” në Shqipëri i ofron bashkëpunimin Kuvendit të Shqipërisë dhe çdo subjekti që ka vullnetin për të hedhur themelet e një sistemi transparent dhe ligjor.
21 Tetor 2008