E Diel, 1 Nëntor 2026

Çamët në SHBA: Greqia të na njohë pronat

Çështja çame shkon në Pallatin "Elysee". Popullsia nga zona e Çamërisë, që jetojnë e punojnë në SHBA, i kanë shkruar një peticion Presidentit të Francës, Nikolas Sarkozi, duke kërkuar dënimin e gjenocidit grek të ushtruar ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Peticioni, i firmosur nga 25 shqiptarë të lindur shtetas grekë, në krahinën shqiptare të Çamërisë, nuk ka si synim ndryshimin e kufijve, por realizimin e të drejtave të tyre, si shtetësinë, gjuhën, pronën, traditat dhe kulturën. Nga ana e tyre, kërkohet gjithashtu edhe kompensimi i shfrytëzimit të padrejtë të shtëpive, pronave dhe pasurive të tjera nga pronarët e paligjshëm. Motivi, pse çamët e Amerikës i shkruajnë Presidentit Sarkozi dhe jo qeverisë shqiptare, lidhet me besimin që ky komunitet ka në demokracinë evropiane për të mposhtur mentalitetin ballkanik të urrejtjes dhe mosrespektimit të njëri-tjetrit. "Ballkani nuk duhet të quhet më ‘fuçi baruti‘, por pjesë e Evropës së Bashkuar Demokratike", citohet në letrën drejtuar Sarkozi. Diskriminimi ndaj popullsisë çame vazhdon edhe sot. Qeveria greke, nëpërmjet ambasadës së saj në Tiranë, vjet u refuzoi vizat e hyrjes 26 çamëve me banim në Shqipëri, me arsyen e mosarsyes se kanë lindur në Greqi. Ata faktikisht kërkonin të vizitonin vatrat ku kishin lindur dhe të vendosnin një tufë me lule në vendet ku kanë qenë varrezat e të parëve të tyre. Komuniteti çam në SHBA shpreh shqetësimin se si mund të pretendohet që të respektohen të drejtat njerëzore, veçanërisht e drejta e pronës, kur nuk të jepet e drejta për të hyrë legalisht në Greqi. Duke i bërë një përshkrim të historisë së çështjes çame, në letrën drejtuar Presidentit francez theksohet se,

në kundërshtim me premtimet për respektimin e të drejtave të kësaj popullate shqiptare, administrata greke filloi reprezaljet, diskriminimin, ndalimin e gjuhës shqipe dhe konfiskimin e pasurive të shqiptarëve të Çamërisë.

Megjithatë, mohimi i të drejtave elementare si konfiskimi i pronave, mos hapja e shkollave në gjuhën amtare, reprezaljet, burgosjet dhe diskriminimi total nuk u ndërprenë asnjëherë.

Djemve çamë kur thërriteshin në ushtri nuk u jepeshin armë, por vetëm kazma e lopata për të punuar. Për më tepër, në prag të luftës italo-greke, u internuan të gjithë meshkujt mbi 13-vjeçarë në ishujt e Egjeut. Atje nga keqtrajtimi vdiqën disa qindra prej tyre. Ndërsa me 1944-45, mbas masakrave çnjerëzore e vrasjeve të më se 2900 njerëzve të pafajshëm, kryesisht gra, fëmije e pleq, u përzunë me dhunë për në Shqipëri mbi 30 mijë çamë, që jetonin në trojet tona etnike prej mijëra vjetësh.

Letra

Nju Jork

Shkëlqesisë së Tij, z.Nikolas Sarkozi

President i Republikës Franceze

Shumë i nderuar z. President!

Me përshëndetjet më të sinqerta për veprimtarinë tuaj demokratike evropiane dhe më gjerë, po ju drejtohemi ne, 25 shqiptarë të lindur shtetas grekë në krahinën shqiptare të Çamërisë martire, që sot jetojmë e punojmë në SHBA.

Z. President, Çamëria (sot Thesprotia në VP të Greqisë), është një nga krahinat më vitale shqiptare. Dialekti shqip i çamërishtes është më i vjetri në gjuhën shqipe (në këtë dialekt Dhespoti i Çamërisë detyrohet të përkthejë Dhiatën e Re më 1877, se besimtarët e krishterë nuk e kuptonin meshën në gjuhën greke), dhe jo për çudi edhe mbas mbi 500 vjetëve flitet ende sot nga pasardhësit tonë edhe në Kalabri të Italisë. Sot vetëm në Shqipëri jetojnë mbi 200000 shqiptarë të ardhur ose me prejardhje nga Çamëria.

Shkëlqesi,

Po ju drejtohemi juve si president i Francës si edhe vendit që mban Presidencën e radhës në BE - simbol i demokracisë dhe mbrojtjes së të drejtave njerëzore për të gjithë banorët e atij Unioni Shumëkombësh, i cili është mishërim i qytetërimit më të lartë dhe traditave demokratike të gjithë vendeve që përfshihen në të. Po ju drejtohemi Juve Shkëlqesi, si Kryetar i një vendi evropian hartues dhe respektues i një afrimi demokratik të gjithë vendeve të Mesdheut, për një të ardhme paqësore dhe vëllazërore midis popujve dhe racave të ndryshme njerëzore; që me kulturën demokratike evropiane të frymëzuar dhe realizuar nga i Madhi De Gol, të ndërhyni që çështja "Çame", si problem i të drejtave të njeriut të marrë zgjidhjen e duhur.

Ne nuk kërkojmë ndryshimin e kufijve, por kërkojmë të njihen të drejtat tona;

- dënimin e gjenocidit grek të ushtruar ndaj shqiptarëve të Çamërisë;

- njohjen e të drejtave si shtetësinë, gjuhën, pronën, traditave dhe kulturën;

- kompensimin prej mbi 60-vjeçarë të shfrytëzimit të padrejtë të shtëpive, pronave dhe pasurive të tjera nga pronarët e paligjshëm.

Shkëlqesi, kemi besim të plotë se vetëm me mirëkuptimin dhe demokracinë evropiane dhe Tuajën në veçanti do të mundet ai mentalitet ballkanik i urrejtjes dhe mosrespektimit të njëri- tjetrit. Ballkani nuk duhet të quhet më "fuçi baruti", por pjesë e Evropës së Bashkuar Demokratike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›