E Diel, 1 Nëntor 2026

ISSH-ja përcakton moshat që janë në prag të daljes në pension

Në çfarë moshe dhe viti dalin në pension burrat që kanë lindur nga viti 1945-1947. Në çfarë moshe dhe viti dalin në pension gratë që kanë lindur nga viti 1950-1952

Jonida Tashi

Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) kanë përcaktuar moshat në prag të daljes në pension për të dyja gjinitë deri në vitin 2012. Duke u nisur nga data dhe viti i lindjes, specialistët e pensioneve kanë bërë llogaritjet përkatëse se në çfarë moshe dhe viti e përfitojnë të drejtën e pensionit burrat që kanë lindur brenda harkut kohor nga data 1 korrik e vitit 1945 deri më 1 janar të vitit 1947. Po ashtu, specialistët kanë përcaktuar se në çfarë moshe dhe viti dalin në pension gratë që kanë lindur duke filluar nga data 1 korrik e vitit 1950 deri më datë 1 janar të vitit 1952. Sipas specialistëve, moshat që janë në prag të daljes në pension, por që ende u duhet të sigurojnë edhe disa vite pune për përfitimin e pensionit, duhet të kenë në vëmendje se pagesa e kontributeve ligjërisht nuk mund të bëhet mbas plotësimit të moshës për pension. Për ta pasur sa më të qartë këtë problem, ata paraqesin moshat që janë në prag të lindjes së të drejtës për pension, duke qenë të siguruar. Specialistët shpjegojnë se ka pasur raste që disa fermerë janë kujtuar për t’u siguruar mbasi kanë plotësuar moshën për pension, leje lindje ose mbasi janë bërë të paaftë për shkak sëmundjesh. Por, në këto raste, i moshuari mbetet pa pension pleqërie, invalidi mbetet pa pension invaliditeti dhe nëna e re mbetet pa shpërblim lindjeje dhe pa leje lindjeje. Kështu, nëse jeni në prag të daljes në pension ose doni të dini se në çfarë viti dhe moshe do të jeni në statusin e pensionistit, por nuk jeni të mirinformuar se dhe sa kohë ju duhet për përfitimin e tij, nëpërmjet tabelave të mëposhtme ju do të mësoni se dhe sa vite kalendarike dhe pune ju duhen për të plotësuar moshën për pension.
Meshkujt
Meshkujt që kanë lindur duke filluar nga data 1 korrik e vitit 1945 deri në datën 31 dhjetor të po këtij viti, e plotësojnë moshën e daljes në pension nga data 1 korrik 2008 deri më 30 qershor të vitit 2009. Mosha që duhet të plotësojnë meshkujt e këtij harku kohor për të përfituar pension është 63 vjeç e 6 muaj. Ndërsa meshkujt që kanë lindur nga data 1 e muajit janar deri më 30 qershor të vitit 1946 e plotësojnë moshën e përfitimit të pensionit duke filluar nga data 1 korrik e vitit 2009 deri më 30 qershor 2010. Meshkujt e lindur brenda këtij harku kohor dalin në pension në moshën 64 vjeç. Meshkujt që kanë lindur në gjysmën e dytë të vitit 1946, e përkatësisht nga data 1 korrik-31 dhjetor të këtij viti, dalin në pension në moshën 64 vjeç e 6 muaj, duke filluar nga data 1 korrik e vitit 2010 deri në datën 30 qershor 2011. Meshkujt që kanë lindur nga data 1 janar e vitit 1947 deri në 30 qershor të po këtij viti e plotësojnë moshën e përftimit të pensionit duke filluar nga data 1 korrik e vitit 2011 deri në datën 30 qershor të vitit 2012. Mosha maksimale e përfitimit të pensionit për meshkujt e lindur në gjysmën e parë të vitit 1947 është 65 vjeç.
Femrat
Femrat e datëlindjes 1 korrik deri më 31 dhjetor të vitit 1950 e përfitojnë të drejtën e pensionit duke filluar nga data 1 korrik 2008 deri më 30 qershor të vitit 2009. Femrat e lindura brenda këtij harku kohor dalin në pension në moshën 58 vjeç e 6 muaj. Kurse femrat që kanë lindur nga data 1 janar deri në 30 qershor të vitit 1951 dalin në pension në moshën 59 vjeç dhe këtë moshë ato e plotësojnë duke nisur nga data 1 korrik e vitit 2009 deri më 30 qershor 2010. Femrat që kanë lindur në gjysmën e dytë të vitit 1951, e përkatësisht brenda harkut kohor 1.7.1951 – 31.12.1951, iu lind e drejta e përfitimit të pensionit të pleqërisë në moshën 29 vjeç e 6 muaj. Kjo moshë për këto femra arrihet duke filluar nga 1 korriku i vitit 2010 deri më 30 qershor 2011. Femrat që kanë lindur nga data 1 janar deri më 30 qershor të vitit 1952 dalin në pension në moshën 60-vjeçare. Këtë moshë ato e plotësojnë nga data 1.7.2011 - 30.06.2012.
Rritja
Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ka përfunduar llogaritjen e rritjes që do të pësojë mosha e pensioneve dhe vitet e punës për të gjitha kategoritë. Llogaritja e moshës dhe e viteve të nevojshme të punës për të përfituar pension llogaritet në bazë të kategorive të punëve që ka bërë aplikuesi për pension. Ndërsa lloji i punës që punëtori ose nëpunësi ka kryer dhe vjetërsia në atë punë vërtetohet me anën e librezës së punës. Gradualisht, nga viti në vit rritet mosha e daljes në pension dhe shtohen vitet e punës derisa nga data 1 korrik e vitit 2023 e në vazhdim minatorët e profesionet e tjera që kanë punuar në nëntokë do të dalin në pension të plotë në moshën 65 vjeç, kur të kenë punuar gjithsej 35 vjet të siguruar, pavarësisht se në cilin profesion kanë punuar. Mosha e pensioneve, për çdo vit, në datën 1 korrik rritet me gjashtë muaj, për të krijuar një harmoni mes brezave dhe viteve të lindjes, në mënyrë që të arrihet mosha 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë. Duke filluar nga 1 korriku i këtij viti dhe deri më 30 qershor të vitit 2009, të gjithë ata persona që duan të përfitojnë pensione pleqërie duhet të kenë mbushur moshën 63 vjeç e 6 muaj për meshkujt dhe 58 vjeç e 6 muajt për femrat, si dhe duhet të kenë 35 vite pune të siguruara.
Kushtet
Specialistët e ISSH-së sqarojnë se për punë të kategorisë së parë mosha për të dalë në pension si për burrat, ashtu dhe për gratë nuk ka pësuar asnjë ndryshim nga viti i kaluar. Por, ndryshe nga dy kategoritë e tjera, këtu shënohet rritje e viteve të nevojshme për të përfituar pension pleqërie. Kështu, periudha e sigurimit të viteve është përcaktuar 29 për burrin dhe 29 për gruan. Për punë të kategorisë së dytë mosha për të përfituar një pension pleqërie shtyhet me disa vite më shumë për burrin dhe për gruan. Kështu, 62 vjeç e 6 muaj për burrin dhe 57 vjeç e 6 muaj për gruan është mosha optimale për të përfituar një pension pleqërie, nga 1 korriku 2008 deri më 30 qershor 2009. Ndërsa periudha e sigurimit në vite për këto kategori është 35 vite punë. Për punë të kategorisë së tretë mosha për t’u bërë përfitues i një pensioni pleqërie është rritur me 6 muaj. Pra, për të përfituar pension brenda kësaj periudhe kohore, burrat duhet të kenë mbushur moshën 63 vjeç e 6 muaj, ndërsa gratë 58 vjeç e 6 muaj. Ndërsa periudha e sigurimit në vite për të dyja kategoritë mbetet e njëjtë me atë të kategorisë së dytë, me 35 vite vjetërsi pune. Harku kohor që ka të bëjë me vjetërsinë e punës ngushtohet më shumë kur bëhet fjalë për nënat që janë me shumë fëmijë. Mosha për të përfituar një pension pleqërie për këtë kategori është 50 vjeç, ndërsa kushtet për të plotësuar atë dhe që lidhen me periudhën e sigurimit në vite janë 30 vite vjetërsi pune.

BURRAT

DATELINDJA
MOSHA E DALJES NE PENSION
VITI I PLOTESIMIT TE MOSHES PER PENSION
1.7.1945 – 31.12.1945 63 e 6 muaj 1.7.2008-30.06.2009
1.1.1946 – 30.6.1946 64 1.7.2009-30.06.2010
1.7.1946 – 31.12.1946 64 e 6 muaj 1.7.2010-30.06.2011
1.1.1947 65 1.7.2011-30.06.2012

GRATE

DATELINDJA
MOSHA E DALJES NE PENSION
VITI I PLOTESIMIT TE MOSHES PER PENSION
1.7.1950 – 31.12.1950 58 e 6 muaj 1.7.2008-30.06.2009
1.1.1951 – 30.06.1951 59 1.7.2009-30.06.2010
1.7.1951 – 31.12.1951 59 e 6 muaj 1.7.2010-30.06.2011
1.1.1952 60 1.7.2011-30.06.2012

21 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›