LIBRI arti i të shkruarit LIBRI
Shkrimi konceptohet si përjetësia, mbi të gjitha amshueshmëria e fjalëve të lidhura me kuptime filozofike e ndjesore. Në universin e pafundmë, aty ku Olimpi i magjishëm ruan pushtetin e shkrimtarit, ekziston një fije transcendentale që e bën artin letrar të përjetshëm. Shkrimtari, kjo qenie mistike, heshtur ndërton botëra të ndryshme e të shumta, mbi të gjitha specifike, të cilat njerëzimi përherë i admiron, jeton me to, ndjen e frymëzohet nga to. Shkrimtari shëmbëllen me Krijuesin, ngase ai krijon nga asgjëja, tamam si Krijuesi dhe qëndron karshi universit të pafundmë me gjuhën e orakujve, një gjuhë që ligjërimin krijues e mishëron me përvoja të shumëfishta filozofike e artistike.
Shkrimtari është qenia më tipike që ndërthur të bukurën dhe të madhërishmen, të këndshmen dhe të shëmtuarën me tragjiken e lumturinë, brenda një simbioze letrare që sfidon kohët dhe ekziston përjetshëm. Ky kontrast dramatik e bën letërsinë gjithmonë aktuale, gjithmonë të nevojshme për mendjen njerëzore, për fisnikërimin e shpirtit njerëzor, mbi të gjitha, për të pastruar njeriun nga pasionet e shumta: pra, për domosdonë e një katharsis të përhershëm, ku letërsia ka një rol fundamental. Është libri i letërsisë ai që me fuqi autonome tejkalon konceptet e kohës dhe lidhet me pakohësi, duke përmbys ligjet e ngurta të kohës, vjetërsisë, harresës, etj.
Ndue UKAJ
1.
Në traditën e shkrimit letrar, ekziston një debat i pambarim për rolin që ka letërsia në një shoqëri. Platoni donte t’i dëbonte poetët nga shteti i tij ideal si prishës të moralit dhe këtë e bënte nga fakti se pranonte ndikimin e jashtëzakonshëm të letërsisë te rinia, edukimin e pasioneve e ndjenjave të saj. Më tej, dijetari tjetër antik Aristoteli vë në spikamë katharsin si një aspekt funksional të letërsisë në shoqëri. Ndërkaq shkrimtari gjenial argjentinas Jorge Luis Borgesi, te letërsia sheh shpirtin, andaj ia dedikon librit atributin më te madh të lumturisë njerëzore. Në këtë linjë mendimesh për artin letrar, na del edhe filozofi dhe esteticienti Friedrich Hegel, i cili shkruan: “Vepra artistike vjen nga shpirti dhe ekziston për shpirtin, dhe epërsia e saj rrjedh nga fakti që, nëse një produkt natyror është një produkt i pajisur me jetë, ai është i vdekshëm; ndërsa një vepër artistike është një vepër që vazhdon të ekzistojë.” Pra, njëfarë mënyre, nëse do synonim të interpretonim një nga esencat e shumta të botës së madhe të letërsisë, do të mund të pajtoheshim se: “vepra artistike është e përcaktuar të ndërmjetësojë midis krijuesit të saj dhe kolektivit” (Jan Mukarzhovski). Dhe pikërisht ky aspekt e bën letërsinë një univers autonom e krejt specifik në përvojën njerëzore, që vazhdon të qëndrojë e fuqishme në çdo kohë.
2.
Poesis, ky term antik aristotelian që ka kuptimin e “krijimit nga asgjëja”, nëpër kohë është bërë paradigma e shkrimit imagjinativ. Në të vërtetë, shkrimi konceptohet si përjetësia, mbi të gjitha amshueshmëria e fjalëve të lidhura me kuptime filozofike e ndjesore. Në universin e pafundmë, aty ku Olimpi i magjishëm ruan pushtetin e shkrimtarit, ekziston një fije transcendentale që e bën artin letrar të përjetshëm. Shkrimtari, kjo qenie mistike, heshtur ndërton botëra të ndryshme e të shumta, mbi të gjitha specifike, të cilat njerëzimi përherë i admiron, jeton me to, ndjen e frymëzohet nga to. Shkrimtari shëmbëllen me Krijuesin, ngase ai krijon nga asgjëja, tamam si Krijuesi dhe qëndron karshi universit të pafundmë me gjuhën e orakujve, një gjuhë që ligjërimin krijues e mishëron me përvoja të shumëfishta filozofike e artistike. Shkrimtari është qenia më tipike që ndërthur të bukurën dhe të madhërishmen, të këndshmen dhe të shëmtuarën me tragjiken e lumturinë, brenda një simbioze letrare që sfidon kohët dhe ekziston përjetshëm. Ky kontrast dramatik e bën letërsinë gjithmonë aktuale, gjithmonë të nevojshme për mendjen njerëzore, për fisnikërimin e shpirtit njerëzor, mbi të gjitha, për të pastruar njeriun nga pasionet e shumta: pra, për domosdonë e një katharsis të përhershëm, ku letërsia ka një rol fundamental. Është libri i letërsisë ai që me fuqi autonome tejkalon konceptet e kohës dhe lidhet me pakohësi, duke përmbys ligjet e ngurta të kohës, vjetërsisë, harresës, etj. Sa më shumë ecin kohët, aq më i admirueshëm bëhet Homeri, Virgjili, Dante, Shekspiri, Kafka, apo në rastin e letërsisë shqipe, Bogdani, De Rada, Mjeda, Frashëri, Fishta, etj.
3.
Për shkrimtarin e madh Jorge Luis Borges, ndër instrumentet e shumtë të njeriut, më i mahnitshmi pa dyshim mbetet libri. Këtë atribut të posaçëm për librin ai e mbështetet në një sërë arsyesh, e mbi të gjitha për faktin se libri ka fuqinë e shpirti. Pikërisht fuqia e shpirtit si tipar themelor, e nën substratin e të cilit qëndrojnë shumë shtresa narrative dhe stilistike, si gjuha e kultivuar dhe atributive, rrjeti imagjinativ me nuanca e prirje estetike e stilistike, e bëjnë librin e botës së letërsisë të posaçëm, madje për shumë aspekte të veçantë, edhe në raport me gjitha librat tjerë të fushave të ndryshme shoqërore. Arti letrar, apo thënë ndryshe libri i letërsisë, mbetet ndër referencat themelore për emancipimin njerëzor. Letërsia gjithmonë ka influencuar dhe sot ka një funksion të fuqishëm në shoqëri. Pikërisht kjo fuqi e jashtëzakonshme, e cila kur konvertohet në atë që e konceptojmë shkrim letrar, krijon një lloj lumturie të posaçme, që njerëzimi vazhdimisht e kërkon, e admiron, e dashuron. Ky asociacion perceptimesh e bën letërsinë fushë superiore dhe tërësisht autonome. Këndej pari, prirja ndaj letërsisë, ndaj shkrimit letrar përgjatë gjithë gjallimit njerëzor ka qenë prirja me sublime për të bukurën dhe të shëmtuarën, për të këndshmen e të dobishmen (Dulce et Utule), siç shkruante Horaci, për këto kategori estetike që përcjellin qenien njerëzore përherë. Nga bota e madhe dhe e pakufishme e letërsisë, shumëçka është transformuar në kulturë globale, duke mbetur letërsia arena ku shkrihen shekuj, kultura, distanca dhe sintetizohen në atë që është e bukura, sublimja, e madhërishmja, tragjikja, etj. Prandaj, edhe në kohërat moderne ngjarjet e motivet që i ka përcjell letërsia, s’mund të shkëputen nga jeta, madje as pas qindra shekujsh. Kështu, rrëfimi për Luftën e Trojës e Homerin vazhdon të përdoret në arte e kulturë, ashtu sikurse s’mund të shkëputet përvoja njerëzore nga “Komedia Hyjnore” e Dante Aligerit, “Hamleti” i Shekspirit, apo në kontekstin shqiptar nga “Lahuta e Malcis” e At Gjergj Fishtës.
4.
Përkundër lashtësisë së saj, edhe në shekullin tonë shtrohen pyetje për letërsinë, për natyrën e funksionin e saj. Megjithë përkufizimet e shumëfishta për artin e fjalës, mbetet e vështirë të gjendet një përkufizim i kënaqshëm për atë çfarë është qenia e letërsisë. Përtej një përkufizimi të pranuar si të mirëqenë, le ta kundrojmë dhe shijojmë letërsinë si artin e shpirtit njerëzor, shtratin ku derdhen emocione e drithërima vibruese, dashuri e urrejtje të gjithfarshme, lindje e vrasje, paqja e luftëra, shkruar me një ligjërim të veçantë brenda një strukture komplekse, që quhet tekst letrar.
Letërsia dhe libri që konceptohet brenda letërsisë, për shoqërinë njerëzore është kult në saje të kënaqësisë që krijon, prandaj Borgesi e përkufizon në një ese të tij, “Lumturia e librit”. Pra arti letrar, jashtë çdo qëllimi praktik, sikundër do të shkruante Paul Auster, lumturon shpirtin e njeriut, lumturon njerëzimin dhe realizon katharsisin letrar, kumton me gjuhën e orakujve të pathënat, ato që s’ mund ta bëjë asnjë dije tjetër shoqërore dhe asnjë formë tjetër e komunikimit të mesazhit drejt recpetuesit (lexuesit). Mjetet e letërsisë i mungojnë edhe muzikës, filmit, pikturës, skulpturës. Nëse letërsia, në një aspekt sintetizon shpirtin njerëzor, libri i letërsisë është vetë shenjtëria e botës, memoria kolektive ku ruhen me emocione të veçanta të mirat dhe të këqijat.
5.
Nëse e marrim për bazë mendimin e Borgesit se libri është i shenjtë, dhe shtojmë se këndej pari shenjtëria e tij krijon një soj lumturie të veçantë, duhet të shtojmë edhe se libri mbetet ngushëllim i kohëve, me librin ndjejmë e bashkëndiejmë, me librin bashkudhëtojmë e bëhemi pjesëtarë të kulturave të ndryshme, bëhemi pjesëtarë të rrëfimeve të shumëllojshme, të lumturisë së pakufishme dhe tragjikes tronditëse; asociacione e ndjenja këto që sjellin kënaqësi të veçantë estetike, por edhe drithërima nga më të ankthshmet. Njëfarë forme libri është ngushëllim i së kaluarës, memorie e saj, mbi të gjitha ngushëllim i së tashmes, një pasqyrë ku përthyhen kohë, një arenë ku ndeshim lumturinë që vazhdimisht dëshirojmë ta kemi në mbamendje, por edhe tragjiken që vazhdimisht dëshirojmë ta kemi në mbamendje, madje edhe nëse rrëfimi a krijimi tragjik krijon makth, tmerr, trishtim, lemeri, prapëseprapë s’mund të shkëputemi nga ai. Librin e letërsisë e ndjejmë, dëshirojmë ta përcjellin te tjerët edhe nëse ai ka reflekse tragjike. Është interesante të mendohet se e gjitha kultura letrare, dhe jo vetëm ajo, dëshiron ta lexojë e rilexojë “Procesin” e Kafkës, edhe pse e ka parakonceptin se Jozefi K. do të dënohet e do të vdesë si një qen, pa ndonjë mëkat. Pra, te ky roman lexuesi gjen diçka nga vetja, nga rrethi, nga përditshmëria e tij. Në fund të fundit, aty është një pjesë e unit të tij. Prandaj ai roman është kurdoherë aktual, i përballon kohës, se lidhet me amshueshmërinë. Lexuesi, qoftë ai model apo empirik i letërsisë (Umberto Eco) pikëllohet me vuajtjet e Gregor Hamzës dhe sfilitet në peripecitë e tij që shkakton metamorfoza e çuditshme në horizontin e një estetike të pritjes së ankthshme. Por përfundimi i tyre tragjik nuk e molepsë lexuesin e pasionuar të letërsisë, përkundrazi. Më tej, nëse e marrim si shembull një nga perlat e artit botëror, dramën “Hamleti”, tekst ky letrar që përfaqëson kulmin e tragjikes letrare e njerëzore, shohim se ai s’na moleps, përkundrazi na trimëron, na bën më të fortë. Ne e duam Hamletin duke e përjetuar si fenomen universal, bashkëndjejmë me të dhe çlirohemi nga ankthet bashkë me të. Ne e ndjejmë dashurinë në këtë dramë, ashtu sikundër fajin, tragjiken e vrasjes, hakmarrjen dhe, së fundi, zgjidhjen e dilemës e të enigmës së vrasjes misterioze. Ndërsa te Charls Bodleri ndeshim modelin më të shkëlqyer te këtij konteksti, ku nga pelmi e krimbat krijohet estetika e tekstit, që e lexojmë me kënaqësi, edhe pse lexuesi hëpërhë ec në tehun e tragjikes së jetës. Ndërkaq, nëse këtë çështje e kontekstualizojmë brenda letërsisë shqipe, lexuesi shqiptar ka makth nga tmerret e komunizmit, por dëshiron ta lexojë letërsinë e Kadaresë, sikundër romanin “Nata me hanë”, “Hija”, “Përbindëshi”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazarekut”, etj. Apo në trajtat me rrëqethëse Atë Zef Pllumin dhe rrëfimin e tij. Në kujtesën e njerëzimit ekziston një galeri personazhesh që mbesin në mbamendje përjetësisht, qofshtë dhe atëherë kur kanë elemente tragjike.
6.
Letërsia lexohet me endje. Leximi i letërsisë, ndryshe, mund të kuptohet edhe si një përqafim me idetë kulturore. Letërsia më fuqinë e saj autonome të komunikimit kënaq lexuesin.“Kënaqësi e tekstit, tekst kënaqësie. Këto shprehje janë me dy kuptime. Sepse nuk ka fjalë të gjuhës frënge që të japë njëherësh kënaqësinë (përmbajtjen) dhe shijimin (emocionin). A nuk është kënaqësia një emocion i vogël? Emocioni, a nuk është në vetvete një kënaqësi e skajshme?” shkruan Roland Barthes në esen “Kënaqësia e tekstit”. Në këtë ese të shkëlqyer, Barthesi bën një raport mes kënaqësisë së tekstit dhe institucionit të tekstit.
Letërsia ka fuqinë të zbutë e miklojë zemrat e njerëzve. Ajo riprodhon të kaluarën, kohët, librat, personazhet e saj pozitivë e negativë. Por letërsia edhe projekton një realitet imagjinar të së kaluarës, të së mundshmes, me një sens racional, të një realiteti që është specifik. Ndërsa në anën tjetër, letërsia projekton të ardhmen, të cilën e kundron në një prizëm krejt të veçantë, me perceptimet e shpirtit dhe imagjinatës. Në këtë qerthull të krijimit, teksti letrar krijon e riprodhon. Ai kthehet te modeli pararendës, nga i cili asnjëherë nuk dëshiron të shkëputet, edhe pse gjithmonë tenton origjinalitetin. Pra, letërsia dialogon me autorë të ndryshëm, me modele kulturash, reflekton tragjiken dhe peripecitë e njeriut, përmes një mesazhi specifik, mesazh që konstruktohet me elementet e së bukurës dhe figurativitetit të mendimit. Sikundër thoshte Aristoteli, Historia tregon të njëjtat ngjarje shpeshherë sikurse letërsia, por nuk e arrin asnjëherë përmasën e saj. Ato janë fakte që krijojnë një regjistër ngjarjesh kronologjike pa asnjë asociacion ndjeshmërie, emocioni, invencioni. Dhe këndej pari lexohen si të tilla, përkundër librit të letërsisë, i cili lexohet me afsh, pasion, emocione.
7.
Letërsia, duke riprodhuar kohët, rikthen klasikët. Kjo logjikë arsyeton faktin se shumë shkrimtarë me nam rikthejnë klasikët; Xhems Xhojsi (James Joyces) rikthen Homerin dhe Odisenë, ndërsa neoklasicizmi francez rikthen antikitetin greko-romak. Në këtë linjë të mendimit për librin dhe letërsinë, dijetar i madh Roland Barthes shkruan për kënaqësinë e tekstit, për atë kënaqësi emocionale që shkakton teksti letrar; duke evidentuar tipologjitë e mundshme të kënaqësisë vë në spikamë aspektin psikanalitik, ngase “kënaqësia nuk është atribut, nuk është produkt, nuk është dukuri sociologjike. Kënaqësia e frazës është një ide kulturore. Kënaqësia e tekstit. Klasikët. Kulturë (sa më shumë kulturë të ketë në tekst, aq më e madhe do të jetë kënaqësia)”. Kjo qasje vetëm sa hap temat dhe dilemat lidhur me qëllimin e artit dhe vetë qenies së letërsisë.
8.
Çka është letërsia, pse lexojmë letërsi, çka është ajo që e bën këtë fushë shpirtërore krejt të veçantë, edhe përkundër faktit se letërsia nuk ka ndonjë qëllim praktikë, sikur ta zëmë arkitektura? Pse ndjejmë kënaqësi kur lexojmë letërsi, qoftë edhe atëherë kur përmbajta e saj të është tejet tragjike, sikundër ta zëmë “Hamleti”? Pse edhe sot, pas zhvillimeve marramendëse teknologjike, njerëzimi ndjen nevojë për letërsi? Janë këto një sërë pyetjesh që vazhdojnë të shtrohen e tërheqin vëmendjen e dijetarëve të shumtë të letërsisë. Janë pyetje e dilema sa të vjetra, aq edhe të reja. Megjithë pikëpamjet e shumta, ndonjëherë edhe kundërthënëse, letërsia vazhdon të jetë domeni i së bukurës, ku përthyhet historia e filozofia, religjioni e morali, e bukura dhe e shëmtuara, etj.
9.
Natyrisht, nëpër libra teorik për letërsinë gjenden shumë përgjigje të mundshme për pyetjen komplekse “Çka është letërsia”, pastaj për natyrën e saj, si dhe funksionin e përmasat. Përgjigjet në nivel sprovash, tezash e teorish japin shumë shpjegime teorike e semantike për përmasën shumëdimensionale që ka qenia e letërsisë. Ato përpiqen të sintetizojnë mendime e empiri për të dhënë orientime të caktuara. Si rezultat i këtyre përplasjeve janë zhvilluar shumë shkolla e formacione letrare. Kjo vetëm vë në spikamë “mospërputhshmërinë” e ideve e mendimeve dhe njëherit thellon “enigmën” për këtë fushë superiore, që e quajmë letërsi. Njëra nga përgjigjet interesante e gjithherë aktuale është se letërsia është dialog, një dialog ku gjenerata të reja shkrimtarësh reagojnë e përgjigjen për të tjerët kolegë shkrimtarë, lidhur me kuptimet për botën dhe njerëzit në kohë të ndryshme e realitete të ndryshme, duke sfiduar kështu kohët e harresën. Megjithatë, letërsia nuk është histori, por pasqyron historinë përmes asociacionit të ndjenjave e gjuhës së figurshme. Xhejms Xhojsi (James Joyces) rikthen Homerin e Odisenë, ndërsa ta zëmë, Kadare në kohën tonë rikthen Homerin e Kalin e Trojës në romanin “Përbindëshi”. Pse ndodh kjo? Kjo lojë letrare është quajtur nganjëherë si intertekstualitet, nocion që mbulon përmasa semantike e estetike të tekstit, paratekstit, hipertekstit e kontekstit, si dhe diskursit. Kjo domethënë se tekstet letrare, të poezisë a prozës, komunikojnë me tekste tjera, marrin e japin në mënyrë reciproke. Pra, në njëfarë forme kjo vetëpërkufizon letërsinë si dialog, një dialog aktiv, sferat e së cilës janë shpirtërore. Nevoja që të krijosh është një ndër ndjesitë bazë humane, shkruan shkrimtari Paulo Auster (Pol Oster), për të shtuar se çfarë qëllimi i shërben arti, në veçanti arti i fiksionit, asaj që e quajmë botë reale? - përpos lumturimit dhe fisnikërimit të shpirti njerëzor përmes artit të së bukurës. Ngase janë krijuesit ata që përmbushin boshllëqet e botës. Prandaj, në këtë kontekst, poeti bashkëkohorë Gjekë Marinaj ia shton krijimit Hyjnor një ditë për vete (dhe krijuesit), nga shtatë ditët e krijimit biblik, ngase kësisoj përmbushet plotënia e universumit, apo: "Engjëjt të zbresin nga parajsa/ e të bëhen poetë."
19 Tetor 2008