E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Brenda 5 ditëve dua prioritetet e çdo ministrie”

07/01/2011  Kryeministri Berisha mbledh qeverinë për vitin 2011, prezanton objektivat

Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e parë për këtë vit, kërkoi nga secila ministri që brenda një afati 5-ditor të paraqesë objektivat specifike, të cilat më pas do të bëhen të ditura për qytetarët shqiptarë. Sipas kreut të qeverisë, objektivat për këtë vit duhet të jenë të tilla që të konsolidojnë themelet e objektivit historik dhe madhor “Shqipëria vendi i zhvilluar brenda vitit 2017”. “Objektivat e vitit që vjen janë të mëdha. Qytetarët shqiptarë do të informohen me hollësi nga ju. Ndërkohë, brenda 5 ditëve do të paraqisni objektivat tuaja për këtë vit. Ka një thënie ky popull që burri lidhet nga fjala, ndaj dhe ne do t’ua bëjmë të qartë shqiptarëve se çfarë do të bëjmë këtë vit me buxhetin më të madh në historinë e tyre. Do të dalim para tyre me objektivat më të qarta, do t’i informojmë ata dhe do t’u japim mundësinë të kontrollojnë një për një zbatimin e tyre”, tha Berisha në fjalën e tij. Në objektivat e qeverisë, numri një i saj përmendi detyrimet e saj në procesin e integrimit evropian, rritjen e rrogave dhe të pensioneve. Integrimi i Shqipërisë në BE mbetet shtylla kryesore, objektivi kryesor i qeverisë “Berisha”. Për realizimin e axhendës për këtë çështje, kreu i qeverisë ftoi opozitën. Por, pavarësisht qëndrimit të së majtës, Kryeministri garantoi vijimin e përpjekjeve për çuarjen përpara të reformave të vendit. “Ne do të bëjmë gjithçka që varet nga qeveria. Natyrisht ftojmë opozitën të bashkëpunojë me këtë axhendë jashtëzakonisht të rëndësishme, por është në tagrin e saj të marrë vendimet që do. Axhenda jonë është axhenda jonë dhe kjo axhendë nuk mund të pengohet nga asgjë. Imagjinoni ju sikur këto arritje të ishin futur në kuti. Dikujt tjetër i mbetet kutia. Unë i kam dalë borxhit dhe i dal përsëri. Jam i gatshëm të bashkëpunoj, por përndryshe axhenda ime është intensive dhe jam i papërmbajtur në zbatimin e saj”, tha Berisha. Në vijim të planeve për këtë vit, numri një i ekzekutivit shqiptar tha se nga 91 komuna të palidhura me rrugë automobilistike me akset kombëtare, 45 do të lidhen brenda këtij viti. “Vetëm një Shqipëri me një rrjet rrugor të ri dhe modern mund të konsiderohet Shqipëri evropiane. Kemi projektin e madh të farorëve, arrave, lajthive, gështenjave, bajameve dhe shegëve. Vetëm një Shqipëri, prodhues i rëndësishëm në rajon për farorët, mund të pretendojë të jetë një vend i zhvilluar nga ana bujqësore”, vijoi Kryeministri.

Objektivi 2011

“Qeveria mblidhet me një vendosmëri për ta shndërruar këtë vit në vitin e një zhvillimi të fuqishëm, ndër më të rëndësishmit në projektin ‘Shqipëria vend i zhvilluar brenda vitit 2017’. Objektivat socialë do të përqendrohen tek ‘Asnjë familje shqiptare në mjerim’. Kalojmë së shpejti dhe ligjin që përcakton një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave, që shqiptarët të mos jetojnë më në mjerim”.

Diplomacia

Duke folur në veçanti për objektivat e secilës ministri, Kryeministri u shpreh se objektivi kryesor i diplomacisë është që së bashku me Ministrinë e Integrimit të ecë përpara drejt integrimit në BE. “Orientimi i diplomacisë sonë është drejt një diplomacie ekonomike. Ne besojmë se lidhjet më të mira politike realizohen nëpërmjet konsolidimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve ekonomike”, tha Kryeministri.

Arsimi

Kryeministri u ndal në prioritetet e këtij viti për arsimin, duke bërë të qartë se tashmë e gjithë vëmendja do të përqendrohet te cilësia. “Kam insistuar dhe insistoj që universitetet të mos kenë asgjë të përbashkët me repartet ushtarake. Një frymë shumë e gjerë lirie duhet të fryjë tek universitetet tona, por kriteret duhet të jenë gjithnjë e më të rrepta dhe më të qarta”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.

Krimi

Shefi i qeverisë u ndal edhe tek objektivat e Ministrisë së Brendshme, dikaster me detyra shumë të rëndësishme. “Një kompleks i tërë detyrash, treguesi evropian dhe konsolidimi i tyre në të gjitha fushat, garancia e jetës, e veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë, luftë me zero tolerancë krimit të organizuar, janë dhe mbeten objektiva të kësaj ministrie”, tha kreu i qeverisë, Berisha, në analizën e tij.

Kryeministri Berisha fton opozitën për bashkëpunim

Në mbledhjen e parë për këtë vit të qeverisë së tij, Kryeministri Berisha ftoi opozitën për të bashkëpunuar në realizimin e detyrave që lindin në realizimin e procesit të integrimit evropian. Ftojmë opozitën të bashkëpunojë me këtë axhendë jashtëzakonisht të rëndësishme, por është në tagrin e saj të marrë vendimet që do. Axhenda jonë është axhenda jonë dhe kjo axhendë nuk mund të pengohet nga asgjë. Dikujt tjetër i mbetet kutia. Unë i kam dalë borxhit dhe i dal përsëri. Jam i gatshëm të bashkëpunoj, por përndryshe axhenda ime është intensive dhe jam i papërmbajtur në zbatimin e saj. Unë e ftoj opozitën të bashkëpunojë në interesin e saj më të mirë”, tha Kryeministri.

Përmbytjet, ngrihet komisioni për vlerësimin e dëmeve

Qeveria miratoi dje ngritjen e grupeve të punës për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut e përmbytjet në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës. Grupi i punës, në përbërje të të cilit do të jenë specialistë të fushave përkatëse, do të bëjë evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve, të përfshira në tri kategori: evidentimi dhe vlerësimi i dëmeve në “objekte banimi”; evidentimi dhe vlerësimi i dëmeve në ekonomi bujqësore, në blegtori, në objekte të prodhimit dhe të përpunimit agro-bujqësor, në makineri dhe pajisje, në rezervatet e rritjes së peshkut, në bimë dekorative, si dhe në objekte ndihmëse; dhe evidentimi dhe vlerësimi i dëmeve në objekte sociale.

Lajm i mirë, ‘Shqipëria e bukura e dheut’

Artikujt për Shqipërinë, të cilët e rendisin vendin tonë si një ndër vendet më të bukura turistike, duke e shpallur madje atë destinacion kryesor turistik, për kreun e qeverisë janë lajme shumë të mira për vendin tonë. “Rendis si një nga lajmet më pozitive në historinë e këtij vendi, lajm, për të cilin çdo ditë shkruhen artikujt më shumë se për çdo gjë tjetër për këtë vend, ‘Shqipëria miss bota’, ‘Shqipëria e bukura e dheut’. Të shpallesh destinacion kryesor turistik, në një kohë kur 6 vjet më parë nuk ke ekzistuar në hartën turistike të botës, do të thotë të kapërcesh ylberin dhe kjo jo në sensin e vjetër shqiptar, por në sensin e ri, se e bukura është vajzë, jo burrë”, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›