E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e ujit të bekuar, pas 3 vitesh kryqin e gjen një ortodoks

07/01/2011  Festa mbledh pranë urës antike besimtarë të tre feve, ceremonia nis në katedrale

BERAT- Dita e ujit të bekuar edhe këtë vit në qytetin e Beratit është shndërruar në një festë madhështore, duke mbledhur besimtarë të tre feve pranë urës antike të Goricës. Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm ritet fetare të kësaj dite janë zhvilluar në fillim pranë katedrales së Shën Dhimitrit në qendër të qytetit e ndërtuar vitet e fundit, rite të cilat janë drejtuar nga kryepeshkopi i Jugut dhe Kaninës dhe gjithë Myzeqesë Imzot Ignatia. Ndryshe nga

vitet e tjera rituali i nisur në katedrale, ka vijuar me një demonstrim përmes qytetit të Beratit për të mbërritur më pas pranë urës së Goricës nga ku dhe është kryer hedhja e kryqit në lumin Osum.

Gara për kryqin

Si për vit grupe djemsh të rinj kanë sfiduar temperaturat mjaft të ulëta të janarit duke u futur në ujërat e ftohta të lumit që për çudinë tonë dhe të pjesëmarrësve edhe pse ka rënë pak reshje gjatë natës ujërat e Osumit kanë qenë të kthjellta. Këtë vit kryqin e ka gjetur mes ujit 26-vjeçari nga lagja “Goricë”, besimtarit ortodoks Romeo Tiko, duke kthyer në këtë rast edhe kryqin tek besimi ortodoks, i kapur për tre vjet rresht nga djem besimtar mysliman. Fituesi ka arritur të nxjerr nga lumi kryqin e shenjtë dhe t’ia dorëzojë Imzot Ignatit duke marrë në këtë mënyrë dhe bekimin e kishës dhe vet Kryepeshkopit. Me kryqin e shenjtë në duar 26-vjeçari, besimtar ortodoks Romeo Tiko, u është drejtuar më pas lagjeve tradicionale “Goricë”, “Kala” dhe “Mangalem”, lagje të cilat kanë kryer ritualin e hedhjes së kryqit fshehurazi edhe në kohën e diktaturë. Në këto lagje fituesi i kryqit së bashku me djemtë që e kanë shoqëruar është takuar me besimtarë të shumtë dhe ka marrë prej tyre bekimet dhe të holla në lekë. Ceremonia e hedhjes të kryqit në ujërat e lumit Osum është ndjekur nga afër dhe nga ministri i Novacionit dhe deputeti i këtij qarku Genc Pollo, kryetari i Bashkisë Fadil Nasufi, prefekti i qarkut Bujar Hoxhaj, si dhe mijëra besimtarë të të gjitha besimeve të qytetit të Beratit dhe të fshatrave në rrethinat e tij. Në një prononcim për gazetën ministri i Novacionit, Genc Pollo, ka pohuar se hedhja e kryqit nga Imzot Ignati dhe gjetja e tij në ujërat e Osumit është festa më e bukur e këtij lloji jo vetëm në Shqipëri,

por edhe në gjithë botën ajo që bëhet në Berat dhe këtu, nuk ka ekzagjerim është me shumë kuptime në domethënien fetare, por edhe në përfshirjen e të tërëve në këtë garë që kujton shumë gjëra të bukura. Ajo që bëhet në Berat e tejkalon atë ceremoni që bëhet në çdo vend tjetër, këtë mund ta themi pa asnjë tepri.

Pak histori për hedhjen e kryqit

dhe festën e ujit të bekuar

"Në Jordan kur pagëzoheshe, O Zot, fjala e Trinisë u shfaq" E kremtja e Epifanisë apo e Ujit të Bekuar është një nga festat më të mëdha të Kishës sonë. (Pashkë, Krishtlindje, Uji i Bekuar). Në fillim, e kremtja e Epifanisë ishte i bashkuar me të kremten e Krishtlindjeve dhe trondiste shpirtrat e besimtarëve me kujtimin e të dyja ngjarjeve të jetës së Zotit tonë, lindjes së Tij sipas mishit dhe Pagëzimit të tij në lumin Jordan, atëherë, që siç e dimë, u zbulua Misteri i Trinisë së Shenjtë. Më vonë, dhe konkretisht në shek 14-të, kisha jonë caktoi të kremtohet veç festa e madhe e Krishtlindjeve, më 25 dhjetor. Kështu, Uji i Bekuar paraqet vetëm ngjarjen e Pagëzimit të Zotit dhe i fton besimtarët t`i drejtojnë sytë e shpirtit të tyre ndaj Perëndisë Triadike dhe ta lusin të pastrojë shpirtrat e tyre në hirin e Tij dhe t`i rilindë shpirtërisht.

S. Gozhina

Ceremonia në portin e Durrësit

Dita e Ujit të Bekuar, 46-vjeçari kap kryqin

DURRES- Kryqi në ditën e Ujit të Bekuar në Durrës është kapur nga një burrë i moshës 46 vjeç, i cili bëhet kështu edhe i pari besimtar i kësaj moshe të mesme që futet në ujin e ftohtë të mëngjesit. Dita e Ujit të Bekuar ka mbledhur qindra e mijëra besimtarë e krishterë, të cilët kanë përjetuar çastet emocionuese të hedhjes së kryqit në ujë. Ceremonia e kësaj dite të shenjtë, si çdo vit, edhe dje në Durrës filloi herët në mëngjes në kishën e qytetit, ku u mbajt dhe mesha përkatëse. Pas kësaj besimtarët u nis me kryqin në dorë për në portin e Durrësit ku kryhet edhe hedhja simbolike e kryqit në ujin e ftohtë të detit në një ditë me temperature të ulëta. Ceremonia u krye në breg të kalatës nr.5 ku ujërat janë të thella, ndërsa temperatura e ujit regjistronte 2 gradë celsius. Pesë persona janë hedhur në ujin e detit për të pritur hedhjen e kryqit nga mitropoliti i Shena Vlashit prifti Nikolla Këtë vit, kryqi është kapur nga 46- vjeçari Teodor Prifti, i besimit ortodoks nga qyteti i Durrësit, i cili i uroj të gjithë besimtarët për festën dita e gjashtë janarit, që simbolizon ditën e shenjtë të Ujit të Bekuar përcillet çdo vit në qytetin e Durrësit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët ortodoks. E kremtja e Pagëzimit të Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, për besimtarët durrsak është një prej kremteve më të mëdha të kishës. Shenjtërimi i ujit vërtetohet sot nga të krishterët, të cilët më çdo 6 janar mbushin ujë të bekuar, i cili qëndron i freskët deri në 6 janarin e vitit tjetër. Për shkak të temperaturave të ulëta 46-vjeçari është hedhur me rroba në ujin e detit pranë kalatës 5 dhe pasi është zhytur ka mundur të kap kryqin pak para se dy të rinj të zgjatnin duart drejt kryqit duke ua “rrëmbyer” të rinjve të drejtën e gëzimit në ditën e Ujit të Bekuar.

Fituesit: Kemi pasur fat

Uji i Bekuar, kishat ceremoni të veçanta

ELBASAN- Sërish kishat e Elbasanit kanë qenë të ndara në ceremoninë për hedhjen e kryqit në ditën e Ujit të Bekuar duke shënuar kështu hedhjen e 2 kryqeve. Një kryq u hodh nga drejtues të kishës ortodokse autoqefale të përfaqësuar nga Janullatos dhe tjetri u hodh nga kisha Shën Mëria që përfaqësohet nga at Nikoll Marku i njohur për oponencën që ka me Janullatosin. Atë Nikolla si drejtues i kishës ortodokse autoqefale kombëtare shqiptare ka drejtuar ceremoninë në kishën e vjetër Shën Maria. Në këtë kishë kryqi u kap për të katërtën herë nga 18-vjeçari Elvis Josifi me banim në këtë lagje. Ndërkohë një ceremoni tjetër u organizua nga kisha e Shën Kollit. Kryqi u hodh si çdo vit në kompleksin e pishinave dhe u gjet nga Julian Luli, i cili arrin ta nxjerrë nga uji për të disatën herë duke sfiduar të ftohtin dhe ujin e akullt. Të dy protagonistët u shprehën se gjetja e kryqit gjatë këtyre viteve ju ka sjellë më shumë fat e mbarësi për vetën dhe familjet. Më pas besimtarët ortodoksë kanë marrë pjesë në meshat e organizuara dhe në mbushjen e ujit të bekuar, të cilin ata do e mbajnë për një vit në familjet e tyre. ceremonia e Ujit të Bekuar në të dy kishat ka mbledhur me qindra besimtarë. Çdo vit kisha Shën Koll dhe kisha Shën Maria festojnë të ndara të gjitha ceremonitë fetare përfshirë edhe hedhjen e kryqit.

Festohet Uji i Bekuar në Fier

Fitues një 19-vjeçar, shpërblim nga kisha

FIER- Dita e Ujit të Bekuar është festuar dje edhe në Fier. Qindra banorë në qytetin myzeqar janë bërë pjesë e ceremonisë së përvitshme, e cila organizohet çdo 6 janar. Pas ceremonisë në kishë e më pas ecjes në rrugët e qytetit, kryqi është hedhur në ujë, dhe pikërisht në shatërvanin e qytetit. Kryqin e gjeti 19-vjeçari Vasil Alushi, i cili mori një shpërblim simbolik nga kisha, ndërsa mori edhe bekimin e Zotit, sipas priftit të kishës. Pas shërbesës si dhe bekimit që i bëhet ujit, besimtarët morën ujin e bekuar, për ta mbajtur atë në shtëpitë tyre që sipas ritit ndihmon në shërim shpirtëror e trupor. Hedhja e kryqit në ujë sinjifikon bekimin e plotë të të gjithë ujërave sipas traditës së lartë të kishës dhe të mbarë njerëzimit.

A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›