Zvicra dhuron 3 milionë euro për Arsimin Profesional
3 milionë euro është granti i parashikuar në fazën e parë të marrëveshjes mes shtetit shqiptar dhe atij zvicerian për zhvillimin dhe vazhdimin e reformës në Arsimin dhe Formimin Profesional shqiptar (AlbAFP). Këshilli i Ministrave vendosi para një jave për miratimin e kësaj marrëveshjeje që u nënshkrua dje nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punës. Sipas marrëveshjes, do të krijohet një “qendër e lëvizshme” e Formimit Profesional për zonën verilindore të vendit, e cila është menduar të ushtrojë aktivitetin e saj në qytetet Pukë, Kukës, Tropojë, Peshkopi dhe Burrel. Nëpërmjet ngritjes së qendrës të lëvizshme të formimit profesional synohet që në këto qytete të ofrohet Formim Profesional nëpërmjet kurseve, në fusha të kërkuara nga tregu i punës, duke u ardhur në ndihmë kryesisht të papunëve, që në këto qendra janë të shumtë. Por projekti do të mbështesë reformën e nisur në fushën e AFP edhe me përmirësimin e ambienteve të shkollave profesionale dhe qendrat publike të Formimit Profesional, si dhe me mbështetje për bazën materiale të kushtueshme të këtyre shkollave. Reformimi i sistemit të Arsimit dhe Formimit Profesional është një ndër prioritetet e qeverisë, që po zhvillohet jo vetëm nëpërmjet inkurajimit të donatorëve, por edhe me fondet e buxhetit të shtetit, me synim rritjen e mundësive për arsimim dhe formim profesional për të gjithë shtetasit sipas standardeve evropiane dhe më tepër mundësi punësimi. Është i njohur bashkëpunimi shumë i mirë i qeverisë shqiptare dhe zviceriane në fushën e Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP), bashkëpunim që ka filluar që në vitet ’90, ndërkohë që qeveria zviceriane është një prej donatorëve në Shqipëri më aktivë në fushën e AFP.
Nxënësit e klasave të teta, në shtator në klasën e nëntë
Në shtator, muaj kur nis shkolla për arsimin parauniversitar, nuk do të ketë regjistrime në vitet e para të arsimit të mesëm. Kështu, të gjithë nxënësit që kanë mbaruar këtë vit klasën e tetë të arsimit bazë, do të edukohen vitin e ardhshëm shkollor në klasën e nëntë, për shkak të ndryshimit të sistemit arsimor parauniversitar. Specialisti i Drejtorisë Arsimore Tiranë, Muharrem Mesi, sqaron se për rrjedhojë, për vitin e ardhshëm shkollor nuk do të ketë regjistrime në shkollat e mesme. Ndryshimi i sistemit arsimor nga 8-vjeçar në 9-vjeçar ka bërë të nevojshme që në klasën e IX-të mësimdhënia të kryhet nga mësues të gjimnazeve. Për këtë, Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Drejtoritë Arsimore rajonale, po sheh mundësinë që mësuesit e gjimnazeve të japin mësim në klasën IX-të, përmes disa kritereve që do të vendosen nga DAR-të, me synim që kalimi nga arsimi bazë në atë të mesëm të jetë sa më i thjeshtë për nxënësit e shkollave 9 vjeçare.
Vendimi i qeverisë, arsimi parauniversitar fillon që 6-vjeç
Fëmijët do ta nisin klasën e parë në moshën 6 vjeçare dhe jo 7 siç është vepruar deri tani. Ndërsa cikli i plotë 9-vjeçar në arsimin parauniversitar do të realizohet për herë të parë gjatë vitit shkollor 2008-2009, ku arsimi bazë do të ketë strukturën 5+4. Qeveria në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave ka bërë disa ndryshmi në ligjin “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar. Sipas këtyre ndryshime, arsimi i detyruar do të zëvendësohet me termin arsimi bazë, ndërsa shkollat e mesme të përgjithshme me fjalën gjimnaz. Reforma e sistemit arsimor do të përfshijë edhe sistemin e arsimit të mesëm, i cili do të ketë një kohëzgjatje 3 vjeçare.
Vlorë, shpërndahen brenda dy orëve të gjitha pensionet
Shpërndarja e pensioneve për moshën e tretë si dhe të shtesës së tyre të akorduar së fundmi nga qeveria ka vijuar më së miri jo vetëm në Tiranë, por dhe në të gjithë Shqipërinë. Lajmi bëhet i ditur nga Posta Shqiptare, e cila sqaron se kjo ecuri pozitive provohet fare mirë nga statistikat dhe mbi të gjitha nga vetë mosha e tretë e cila shprehet mjaft e kënaqur nga kjo ecuri. Ardian Dine, Drejtor i Filialit të Postës Vlorë, shprehet se janë gjashtë zyra postare në Vlorë, të cilat kryejnë shlyerjen e shpërblimit të pensionistëve. Sipas grafikut të përcaktuar nga ISSH-ja për pensionistët të cilët duhet të paraqiten për të marrë pensionin nuk krijojnë asnjë lloj konfuzioni dhe brenda orës 11:00 shpërndahen të gjithë pensionet.
24 Korrik 2008