Pensionisti: “Ne fund te muajit me pensionin ha buke me qepe”
Jonida Tashi
Nëse një çift pensionistësh nuk ka të ardhura të tjera përveç pensionit që marrin, janë të detyruar që në fund të muajit të hanë bukë me qepë. 72-vjeçari Kostandin Spiro nga Erseka, të cilin mund ta ndeshësh çdo ditë në lulishten pranë Akademisë së Shkencave, tregon se sa e vështirë është ta përballosh muajin vetëm me pensionin. Rritja e pensionit nga qeveria për të është një mashtrim, pasi rritja e çmimeve nuk e ka njohur rritjen e pensionit. Këtë ai e argumenton me faktin se rritja e çmimeve nuk i lë asnjë mundësi pensionistëve që të t’u mbeten lekë nga pensioni. “Me këto çmime të larta, ajo 10 për qind rritje që thotë qeveria nuk është rritje reale, pasi nga kjo rritje ne nuk përfitojmë asgjë më shumë përveçse 3 për qind lek më shumë. Kaq na mbetet të marrin më shumë nga pensioni, sepse nuk jemi kompensuar për çmimet e larta të ushqimeve”,- tregon Kostandini gjithë mërzi. Sipas tij, nëse dy pensionistë ndihmohen nga fëmijët e tyre me të ardhura të tjera, nevojiten 400 mijë lek për të përballuar shpenzimet e një muaji. Kostandini (që shkurt shokët e thërrasin Kosta) është i bindur se për shumë njerëz kjo shifër mund të duket e lartë, por nëse bëhet një llogaritje e saktë, kaq lekë në muaj shpenzohen nga dy pensionistë mbi të cilit guri që rëndon më shumë në këtë moshë janë lekët për ilaçe.
Ilaçet
Një i moshuar çdo muaj është i detyruar të harxhojë jo më pak se 3 mijë lek për ilaçet. “Unë kam fatin e mirë, që gruan shyqyr Zotit, nuk e kam të sëmurë dhe shpenzoj vetëm unë lek për ilaçe, se po të ishim të dy sëmurë ma merr mendja se nuk do jetonin dot”,- shprehet si me shaka Kosta. Sipas tij, rritja e pensionit nuk ka asnjë vlerë përpara fjalëve që nxjerr kryeministri i vendit nga goja, pasi edhe një fëmijë i rritur pa prindër nuk do fliste me atë fjalor rrugaçi. I moshuari nga Erseka, i cili ka punuar si oficer, ndërsa e shoqja si mësuese kanë vite që jetojnë në Tiranë. Megjithëse çifti Spiro ka tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë, ata kanë vendosur të jetojnë vetëm në shtëpi, pasi nuk duan që t’i bëhen “barrë” fëmijëve. Ata thjesht mundohen që t’ia dalin me pensionin që marrin, dhe nëse u ndodh që të ngelin keq, sigurisht që fëmijët nuk bëjnë “sehir”.
Kursimi
Madje, për të kursyer sa më shumë lekë, të moshuarit gjurmojnë tregjet më të largëta dhe që shesin ushqime me çmim më të lirë. Çdo ditë Kosta, ashtu si edhe shumë të moshuar të tjerë takohen me shoku-shokun në lulishten pranë Parlamentit për të kaluar kohën dhe biseduar për problemet e veta që sipas tyre, nuk kanë të sosur. Por edhe pse në moshë, edhe ata kanë mësuar që kur nuk kanë shumë lek në celular t’i bëjnë zile shokut për ta lajmëruar që kanë dalë në lulishte. Kjo e fundit, është bërë si një mëhallë e madhe, ku pensionistët qajnë hallet dhe sikur vetëm për pak minuta të ndalosh të ecurën, mund të dëgjosh fragmente bisedash “hallexhije”, të cilat çdo ditë nisin të tregohen nga e para. Tashmë edhe Kostandini është mësuar me këto probleme dhe e di që nuk kanë zgjidhje, por ai i lutet Zotit, që të paktën të ketë shëndetin mirë, pasi kjo është e vetmja gjë që i ka mbetur të bëj teksa shtyn ditët e pleqërisë.
24 Korrik 2008