Brenda çorbës
Fatos Lubonja
FATOS LUBONJA shkruan per Korrierin
Para disa ditësh botova një shkrim të titulluar “Çorbë derri”, ku çarjen PS - LSI e trajtoja nga këndvështrimi i nevojës së krijimit të një të majte të re. Sipas këtij këndvështrimi, “nga jashtë çorbës” kjo që po ndodh nuk ndryshon asgjë thelbësore në nevojën për ta pastruar politikën shqiptare, në këtë rast të majtën, nga një klasë politike që tashmë ka humbur kredibilitetin në një shkallë alarmante dhe për ta riformuar atë. Pas këtij shkrimi më erdhi një kritikë racionale, sipas së cilës, me gjithë dëshirën time për një të majtë të re apo edhe për një klasë të re politike, fatet e politikës sonë do të varen edhe për një kohë nga kjo klasë politike, e prandaj bëja mirë të analizoja atë që është dhe jo atë që duhet të jetë. Ishte një ftesë pra, për të hyrë brenda çorbës e për të analizuar çfarë është më e mira dhe çfarë është më e keqja në këtë që po ndodh realisht në konfliktin midis partive të mëdha dhe partive të vogla lidhur me kodin e pritshëm zgjedhor. Sipas gjykimit tim, ajo çka “duhet” dhe ajo çka “është” nuk janë të ndara, njëra në sferën e ideales dhe tjetra të reales, por janë dy pamje të realitetit në bashkëveprim me njëra-tjetrën. E nëse flas për atë çka “duhet”, mendoj se kjo do të ndikonte sadopak në ndryshimin e asaj çka është. Megjithatë, nuk mund ta mohoj se ajo çka “duhet”, mund të realizohet me ndërhyrjen nga jashtë asaj që “është”, por edhe nëpërmjet dinamikës përbrenda saj. Në këtë kontekst, lidhur me debatin në fjalë, çështja e futjes “brenda çorbës”, sipas meje, shtrohet pak a shumë në formën e pyetjes: a duhen reduktuar apo edhe zhdukur partitë e vogla dhe të mbetemi me një dypolësh të fuqishëm PD-PS, apo ato duhet të ekzistojnë? Cilat janë të mirat dhe të këqijat e të dy varianteve? Cila do të ishte zgjidhja më e mirë? Nëse do ta trajtojmë çështjen nga pikëpamja teorike, do të thosha se avantazhi i madh i demokracisë është pikërisht pluraliteti i mendimeve dhe i përfaqësimeve. Demokracia është si një orkestër ku luajnë shumë instrumente dhe jo një violinë e vetme, apo qoftë edhe një duet. Duke qenë e tillë, ajo nga njëra anë është më e komplikuar e kërkon më shumë aftësi, por, nga ana tjetër, rrit edhe më shumë qoftë lirinë, qoftë përfaqësimin. Le të kujtojmë se një nga kritikat që i bënte Hitleri demokracisë parlamentare, kur kërkonte eliminimin e saj, që ishte se ajo, në vend që të bënte punë, shpenzonte energji pafund me debate parlamentare. Por nuk mund të mohohet se, në mungesë të aftësive dirigjuese, vijmë në rastin kur kjo orkestër në vend që të bëjë muzikë, prodhon kakofoni. Një shembull i këtyre vështirësive të demokracisë është Italia, ku ekzistenca e shumë partive të vogla ka prishur koalicionet, duke rrëzuar qeveritë. Jemi në rastin kur paaftësia për të menaxhuar demokracinë krijon problemin e mosqeverisjes. Përpjekjet e krijimit të një dypolëshi të bazuar me dy parti të mëdha që po bën në Itali Veltroni dhe Berluskoni, lidhen pikërisht me këtë fenomen mosqeverisshmërie. Tani, le t’i kthehemi realitetit shqiptar. Pse po bëhet ky ligj nga dy partitë e mëdha? Sipas mendimit tim, shkaku nuk është mosqeverishmëria. Të paktën deri tani partitë e vogla nuk kanë shkaktuar rrëzime qeverish dhe as pamundësi realizimi reformash në emër të mbrojtjes së interesave të një elektorati të tyre, siç ndodh p.sh., me të majtën radikale apo të gjelbrit në Itali, që kanë penguar disa reforma djathtas të qeverive të qendrës së majtë, apo me demokristianët e qendrës që kanë penguar Berluskonin në legjislaturën paraardhëse. Por, megjithatë, partitë tona të vogla i kanë bezdisur partitë më të mëdha. Sigurisht jo sepse i kanë qëndruar besnik elektoratit të tyre specifik. Partitë tona të vogla, në këtë kuptim, e kanë tradhtuar elektoratin sa herë kanë dashur, për hir të shkrirjes me pushtetin e më të mëdhenjve, duke humbur deri dhe kuptimin e ekzistencës së tyre. Ato po ashtu, nuk kanë as një vizion të ndryshëm nga partitë e mëdha, as edhe një elektorat të caktuar që është i tyre dhe vetëm i tyri. Ato i kanë bezdisur “të mëdhenjtë”, sepse individët në krye të këtyre partive pasi kanë hyrë në parlament, kanë shantazhuar nëpërmjet fenomenit që tashmë është mbiquajtur “fenomeni demokristian”, sipas të cilit, një grup deputetësh bëhen bashkë në një parti fantazmë dhe shantazhojnë rënien e qeverisë po nuk morën përfitimet e tyre personale, apo nëpërmjet fenomenit “Xhuveli”, ku liderët e një partie të vogël, pasi kanë marrë votën në emër të një koalicioni, e kanë tradhtuar atë, duke hyrë në koalicionin fitimtar. Nga ky këndvështrim, mund të thuhet se partitë e vogla kanë shkuar me këmbët e tyre në këtë moment të krizës. Le të kujtojmë rrugën e disa prej partive më të njohurave. Aleanca Demokratike kur lindi në 1993 deri më 1997, luajti një rol të rëndësishëm për të mbledhur rreth vetes pjesën e elektoratit që ishte zhgënjyer nga Berisha, por që nuk donte as socialistët. Më 1997 e më tej, me hyrjen në koalicion me socialistët dhe bërjen e figurave kryesore të kësaj partie ministra, dora-dorës kjo parti e humbi këtë elektorat, që mund ta rriste sikur të kishte ruajtur identitetin e saj dhe sot e shohim të reduktuar në një grusht njerëzish. Edhe PSD-ja lindi si një forcë e majtë, që kërkonte të mblidhte rreth vetes të majtët që distancoheshin nga trashëgimia e Partisë së Punës. Mirëpo sot, po ta dëgjosh Skënder Gjinushin, ai më shumë përdor fjalën “e majta” kur flet për atë që përfaqëson, sesa emrin e partisë së tij. Edhe ajo parti sot ekziston për Gjinushin dhe jo për elektoratin që duhet të përfaqësojë. Partia Republikane lindi me pretendimin e një të djathte të qendrës më të moderuar se PD-ja, pastaj u bë parti e ish-pronarëve, e mund të thuhet se është ndër partitë që ka ruajtur këtë elektorat, por vetëm me kaq ajo do të ishte thjesht një shoqatë ish-pronarësh. Dhe sot vështirë të thuash se, duke qëndruar në koalicion me Berishën, i ka ndihmuar apo i ka tradhtuar ish-pronarët. Më shumë më duket se qëndron kjo e dyta. Edhe LSI-ja e Ilir Metës lindi me pretendimin e madh që të përfaqësonte të tradhtuarit nga PS-ja, duke e akuzuar këtë se ishte kthyer në parti e oligarkëve, por shumë shpejt e harroi këtë retorikë që e diferenconte nga PS-ja, madje u fut në koalicion me të dhe sot nuk merret më vesh se pse dhe ku ndryshon ajo nga PS-ja. Ka pra, shumë arsye për të thënë se partitë e vogla nuk na duhen më, sepse nuk përfaqësojnë asgjë përveçse interesat e disa individëve. E megjithatë, sipas mendimit tim, në realitetin shqiptar ato prapë duhen. Le të shpjegohem: Në fakt, por ta çojmë deri në fund diskutimin mbi diferencat midis partive, mund të themi se, hiq disa arsye historike që vijnë gjithnjë e më shumë duke u shuar, edhe PD-ja e PS-ja nuk ndryshojnë nga njëra-tjetra për sa u përket programeve e vizioneve politike. Pra, ashtu sikurse nuk kemi nevojë për partitë e vogla, sepse nuk kanë asnjë ndryshim në program e përfaqësim nga partitë e mëdha, mund të arrijmë edhe në konkluzionin se nuk kemi nevojë as për dy parti të mëdha, përderisa të dyja ato kanë të njëjtin program dhe, tek e fundit, pavarësisht retorikave antikomuniste të njërës dhe progresiste të tjetrës, në thelb përfaqësojnë që të dyja interesat e një grupi të vogël oligarkësh që u financojnë fushatat elektorale, të cilët jo rrallë financojnë edhe njërën, edhe tjetrën, për të qenë të sigurt se pushteti dhe paraja e tyre do ta kenë gjithnjë rrugën shtruar. Mirëpo nga ana tjetër, të gjithë e dimë se në momente të caktuara ekzistenca dhe rivaliteti për pushtet midis tyre, madje edhe e interesave të oligarkëve të ndryshëm, ka qenë e vetmja mundësi që na është dhënë për të penguar arrogancën dhe abuzimin në rritje të palës në pushtet. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për partitë e vogla. Po të vëresh rolin pozitiv të ekzistencës së partive të vogla, ky ka qenë mjaft të rëndësishëm jo për sa u përket programeve dhe vizioneve të këtyre partive, por për sa i përket lirisë. Roli i partive të tilla, si Aleanca Demokratike apo PSD-ja, ka qenë i rëndësishëm në vitet e qeverisjes së parë të Berishës, për ta penguar prirjen e tij autoritariste, sepse PS-ja e asaj kohe nuk gëzonte kredibilitetin dhe mbështetjen popullore. Po ashtu, LSI-ja e Iliri Metës u bë shumë e rëndësishme për të rrëzuar Fatos Nanon nga pushteti që po bëhej gjithnjë e më abuziv jo vetëm me pasuritë e shqiptarëve, por që po kërcënonte edhe liritë e tyre. Edhe sot mund të thuhet se, me gjithë imoralitetin nga shumë pikëpamje të fenomenit demokristian, për sa i përket lirisë, ekzistenca e një grupimi që mund t’i thotë “jo” Berishës në raste të caktuara, e pakëson frikën e një Berishe që mbetet i gjithëpushtetshëm. Në rast se do të realizohet projekti “Berisha-Rama” për eliminimin e partive të vogla, mendoj se rreziku për kërcënimin e lirive tona do të jetë më i madh. Jo vetëm sepse në të dy krahët do të kemi dy liderë autoritarë, të cilët nuk i pyesin pasagjerët sesi po e ngasin autobusin dhe ku po e çojnë; nëse do të perifrazojmë një thënie të fundit të ish-sekretarit të PS-së, Blushit, atribuuar Ramës: jo vetëm pse kështu do të pakësohen idetë dhe përfaqësimi, por edhe sepse kështu do të pakësohen mundësitë që, kur njëra palë ta mbushë kupën, të gjenden disa “të vegjël” që mund të bëhen të mëdhenj, duke e anuar peshoren nga ana tjetër. Nëse do të realizohet projekti “Berisha-Rama”, duke pasur parasysh sa mentalitetin e tyre autoritarit, aq edhe kulturën tonë të nënshtrimit, ne rrezikojmë të mbetemi nën hyqmin e konfliktualitetit apo pajtimit të tyre për një kohë shumë të gjatë dhe kjo do të ishte një perspektivë jo e shëndoshë për të ardhmen e demokracisë së brishtë shqiptare. Pa përjashtuar në këtë perspektivë variantin edhe më të keq, që mbetja vetëm e dy partive mund të lëshojë në një fazë të dytë luftën për eliminimin e njërës prej tyre dhe të mund të gjendemi paskëtaj, në një lloj qeverisjeje monopartiake alla-Putin, ku liritë të jenë thellësisht të kërcënuara. Si përfundim, duke pasur parasysh çka thashë më lart, do të thosha se ligji elektoral duhet të ndërtohet në mënyrë të tillë, që të jetë sintezë e nevojës të gjetjes së formulave që do të eliminonin fenomene të tilla, si Dushku, ai demokristian, ai xhuvelian (ndonëse sipas meje këtë nuk e ndryshon ligji, por ndryshimi i ndërgjegjes politike të politikanëve tanë) dhe në anën tjetër, të kihen parasysh nevoja e ekzistencës së partive të vogla përfaqësuese, si instrumente që rrisin jo vetëm shkallët e lirisë, por edhe mundësitë e përfaqësimit e të ndryshimit të realiteteve në vend.