Sebepi? Reforma
Edi Rama mblodhi papritur dhe pa asnjë paralajmërim mbrëmë një tryezë ku përveç anëtarëve kryesorë të kryesisë së PS-së mori pjesë edhe Skënder Gjinushi i PSD-së. “Korrieri” konfirmoi dje rreth orës 19:00, takimin e zgjeruar mes lidershipit socialist dhe kreut të PSD-së. Më tej burimet saktësuan se kryetari i PSD-së kishte mbërritur dje rreth orës 18.00 në selinë rozë, ku takoi edhe një pjesë anëtarëve të kryesisë, veç kryesocialistit Edi Rama. Burimet bënë të ditur se në tryezë ishin të pranishëm edhe kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj, kryetari i Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi dhe anëtarët e kryesisë, Arben Malaj e Pandeli Majko, bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Kastriot Islami dhe sekretari i Çështjeve Ligjore, Fatmir Xhafaj. Mësohet se çështja kryesore e diskutimit në takim ka qenë reforma zgjedhore dhe ecuria e bisedimeve ka qenë pozitive. Burimet ishin tepër të rezervuara dhe diskutimi brenda mureve të selisë rozë ishte mëse hermetik. I vetmi sinjal ishte ai, që fryti i takimit ishte pozitiv. Mbetet për t’u parë nëse kjo do të përkthehet në një përqafim të PSD-së, me kërkesat e socialistëve, apo gjetjen e një opcioni tjetër të përbashkët që ndryshon nga pozicionimi i mëparshëm i palëve. Partia më e madhe e opozitës ajo socialiste, është për ndryshimin e sistemit aktual zgjedhor në proporcional të personalizuar. Në të njëjtën kohë, socialistët kërkojnë lista të mbyllura dhe zona shumëemërore. Në krahun tjetër, “të vegjlit” janë pozicionuar për një sistem proporcional të personalizuar, lista të hapura dhe mosrritje të pragut mbi 2.5 për qind. Aritmetikisht, dy partitë e mëdha nëse nuk do të ketë devijim votash nga radhët e tyre, do të mund të miratonin ndryshmet kushtetuese. Por për të qenë të sigurt, bashkëpunimi me disa parti “të vogla” do të shmangte plotësisht mundësinë e dështimit gjatë votimit në seancë plenare. Nuk dihet ende zyrtarisht qëndrimi i mëtejshëm i PSD-së, i Skënder Gjinushit. Partia e tij ka 7 deputetë, çka përkthehet 7 vota. Vetë kreu i PSD-së e ka konsideruar PS-në si aleat kryesor, një aleancë që, nëse është e tillë edhe gjatë votimit në Kuvend, do të ishte një garanci më shumë për kryerjen e ndryshimeve kushtetuese dhe realizimin e reformës zgjedhore. Nëse dhe republikanët në kampin tjetër ose edhe ndonjë parti tjetër e vogël do të gjente gjuhën e përbashkët me PD-në, atëherë kundërshtitë e LSI-së, PAD-së apo edhe aleatëve të tjerë të demokratëve që nuk do të binin dakord, nuk do të kishin kurrfarë vlere, në dobi të pengimit të kryerjes së reformës sipas vullnetit të dy të mëdhenjve. saqellari@korrieri.com Brenda çorbës