E Diel, 1 Nëntor 2026

Punë, jo llafe

Valentina Leskaj

Socialistët e ftojnë qeverinë që të tregojë konkretisht se po e lufton korrupsionin dhe po përparon me reformat

Partia Socialiste tha dje se nuk ndjehet e impresionuar nga disa sinjale inkurajuese të natyrës politike që BE dhe NATO po i japin qeverisë shqiptare, përderisa kjo e fundit ka ende shumë punë konkrete për të bërë për t’i merituar vërtet ato. Sikurse edhe institucionet europiane, edhe PS i bëri dje thirrje ekzekutivit të hedhë hapa të vërtetë përpara në luftën kundër korrupsionit, në realizimin e kartave të identitetit, pasaportave biometrike e po ashtu, në kryerjen e reformës në drejtësi e asaj zgjedhore. Në emër të partisë më të madhe të opozitës, kryetarja e deputetëve socialistë Valentina Leskaj i tërhoqi vëmendjen ekzekutivit. “Ne i bëjmë thirrje qeverisë të reflektojë seriozisht ndaj sinjaleve të përsëritura të BE-së, për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit, që këto të mos bëhen pengesë për integrimin e vendit. Çështjet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe mjedisit të biznesit, që ne kemi kohë që po i vëmë në qendër të axhendës sonë opozitare, janë kondicionalitete shumë të rëndësishme për integrimin e vendit gjithashtu, siç u artikulua nga përfaqësuesi i BE-së”, - deklaroi dje kryetarja e grupit parlamentar të PS-së. Më tej, Leskaj i rikujtoi kryeministrit detyrimet dhe premtimin e pambajtura për kartat e identitetit. “PS-ja dhe grupi i saj parlamentar i bën thirrje qeverisë për përshpejtimin e punës për pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit, si dhe të forcojë e modernizojë regjimin kufitar, duke krijuar kushtet e nevojshme për regjimin e vizave, që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve shqiptarë”, - u shpreh liderja e socialistëve në Kuvend. Ajo theksoi se socialistët përshëndesin nismat e reja të shpallura nga komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn, dhe zëvendëspresidenti i KE-së, Barrot, për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas partisë më të madhe opozitare, detyrimet i adresohen në mënyrë specifike vendit tonë dhe kërkojnë një angazhim gjithëpërfshirës e përgjegjshmëri të lartë. Të vazhdojnë reformat! Socialistët kërkuan dje edhe përshpejtimin e hapave për kryerjen e reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi. Valentina Leskaj nënvizoi se partia më e madhe e opozitës jo vetëm ka shprehur vullnetin për realizimin e tyre, por ka dhënë edhe kontributin konkret për të arritur këtë objektiv, që do të shmangte mosmarrjen e ftesës për t’u integruar në NATO në muajin prill. Kreu i socialistëve në Kuvend, kërkoi që reforma në drejtësi, që po shkon drejt përfundimit, e po ashtu të punohet me të njëjtat ritme edhe në luftën ndaj korrupsionit dhe sundimit të ligjit. Lidhur me reformën zgjedhore ajo deklaroi: “Ne mendojmë se reforma zgjedhore duhet të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, duhet të garantojë forcimin e shtetit ligjor. Duke shprehur angazhimin tonë serioz në procesin e reformës zgjedhore, ne njëherësh shprehim keqardhjen që disa parti të vogla nuk e konsiderojnë interesin e madh të vendit për t’u ndarë nga një sistem politik i kalbur, duke adoptuar sistem zgjedhor, që i jep fund partitokracisë dhe krijon një sistem me frymëmarrje të re e sa më përfaqësuese”. Më tej ajo bëri të qartë se procesi nuk duhet paragjykuar, ndërsa u pyet se a do të miratonin ndryshimet kushtetuese pa pëlqimin e “të vegjëlve”. Liderja e socialistëve në Kuvend i bëri thirrje partive “të vogla” që të ulen dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët, duke mos i parë me skepticizëm propozimet që aktualisht ka bërë partia më e madhe e opozitës. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›