E Hënë, 2 Nëntor 2026

Brenda dy muajsh hartat do ti dorëzohen komitetit shtetëror

14/05/2005  Qeveria vendos të nis studimin për tokat e lira që do të përdoren për kompensimin e ish pronarëve

Ndalohet privatizimi papyetur pronarin

Qeveria ka urdhëruar dje të gjitha ministritë që të mos ndërmarrin veprime për tjetërimin e pronës pa marrë më parë një mendim të komitetit shtetëror. Vendimi ka ardhur vetëm pak ditë pas takimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ku Priebe ka kërkuar sqarime mbi përcaktimin e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, që kërkon ndalimin e tjetërsimit të pronës së lirë deri në përfundimin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Gjithashtu, qeveria i ka kërkuar institucioneve përkatëse, që të paraqesin inventarin konkret me ndërmarrjet që do të privatizohen si dhe mbi tokat e lira. Pas këtyre hapave, komiteti i pronave do të përcaktojë hartën e tokave të lira, duke bërë llogarinë për faturën financiare.

Vendimi

Në vendim theksohet se "nuk mund të bëhet tjetërsimi pa marrë më parë mendimin e Komitetit Shtetëror të Kthmit të Pronave". Ndërsa ngarkohet Ministria e Rregullim Territorit të pranojë të drejtën e parablerjes, duke komunikuar me Komisionet Vendore. "Në rast se vërtetohet se ndërtesa ka pronar, njoftohet Komiteti Shtetëror. I gjithë procesi i inventarit të tokave turistike, apo të masterplaneve për zhvillimin e turizmit, duhet t'i paraqiten Komitetit të Pronave brenda një muaji nga hyrja në fuqi e vendimit", thuhet në draftin e qeverisë. Vendimi ka për qëllim plotësimin e kuadrit të nevojshëm ligjor për realizimin e procesit të kthimit dhe të kompensimit të pronave. Vendimi specifikon detyrat për institucionet, me qëllim sigurimin dhe vënien në dispozicion të Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të pasurive të paluajtshme të shtetit, si dhe informacionin e disponueshëm për shpronësimet apo dhurimet.

Detyrimi

Në mënyrë të veçantë ky projektvendim parashikon detyra për: Ministrinë e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, që të përcaktojë vijën turistike bregdetare dhe kufizimet e zonave turistike në brendësi të vendit. Ministrinë e Ekonomisë në rastet e privatizimit të objekteve shtetërore me qëllim garantimin e të drejtës së parablerjes për ish-pronarët dhe institucionet e tjera në rastin e trojeve, ndërtesave, tokës, tokës bujqësore, tokës pyjore, livadhe, kullota, të lira dhe disponibël, për të orientuar punën në procesin e kompensimit fizik të ish-pronarëve.

Kërkesa

Në takimin e datës 10 maj, kryekomisioneri i grupit të punës së Bashkimit Evropian ka kërkuar të dhëna mbi koston financiare, që do të kushtojë kthimi dhe kompensimi i pronave. Një tjetër shqetësimi i tij ka qenë dhe ndalimi i tjetërsimit të pronave shtetërore, deri në përfundimin e kompensimit të pronave. Kjo për vetë faktin se në ligj kërkohet që kapitalet shtetërore të përdoren për kompensimin e të shpronësuarve. Por mësohet se asnjë nga këto pika nuk ka gjetur përgjigjen e palës shqiptare. Duket se kjo ka sjellë një reagim të menjëhershëm, që është pasqyruar në vendimin e marrë dje nga Këshilli i Ministrave.

Institucionet që administrojnë prona shtetërore si tokë bujqësore, tokë pyjore, pyje, livadhe, kullota, troje dhe ndërtesa, në kuadër të inventarizimit të pronave të paluajtshme shtetërore, të përcaktojnë listën e pronave shtetërore, të shpronësuara pas datës 29.11.1944, të personave juridikë dhe fizikë, të cilat nuk përdoren për qëllim të shpronësimit dhe ta vërë atë në dispozicion të Komitetit Shtetëror

Kur institucioni ka vendosur të heqë dorë nga administrimi i një prone shtetërore, nuk mund të kalojë atë nën administrimin e apo pronësinë e një institucioni tjetër shtetërore, pa marrë, paraprakisht, mendimin e Komitetit Shtetëror

Ministria e Ekonomisë, për objektet, për të cilat duhet të fillojnë procedurat e privatizimit, duhet të vërë në dijeni, paraprakisht, Komitetin Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, i cili brenda dy muajve duhet të japë përgjigje mbi pronësinë e tokës, me qëllim garantimin e ushtrimit të së drejtës së parablerjes nga ish-pronari

Brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e ligjit duhet t'i paraqiten Komitetit Shtetëror

Lista e subjekteve të shpronësuara, prona e të cilëve përdoret për interesa publike

Lista e personave, që ia kanë dhuruar pronat e tyre shtetit

Listën e personave, prona e të cilave është përmbytur nga ndërtimi i hidrocentraleve

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›