E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shpërndahet Kuvendi, më 19 maj seanca e fundit

14/05/2005  Deputetët kanë kërkuar që të përfundojë sa më shpejt seanca për të vijuar fushatën

Më datë 19 maj, parlamenti shqiptar do të zhvillojë seancën e tij të fundit plenare për këtë legjislaturë, ndërsa më datë 20 të këtij muaji do të deklarohet zyrtarisht shpërndarja e deputetëve. Në bazë të nenit 65, të Kushtetutës, parlamenti shpërndahet jo më vonë se 45 ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme, dhe data e zgjedhjeve me dekret të Presidentit të Republikës është 3 korriku. Gjatë kësaj kohe parlamenti aktual vazhdon mandatin deri më datë 3 shtator, por në bazë të Kushtetutës nuk ka të drejtë të miratojë ligje apo të marrë vendime.

Deputetët

Sipas programit të punës, që do të miratohet të hënën, datë 20 maj, do të shënojë dhe ditën e fundit për të zgjedhurit aktualë të parlamentit. Në Kuvendin e ri, shumë prej deputetëve aktualë nuk do të jenë, ndërkohë që do të jenë të zgjedhurit e rinj që do të zgjedhin qeverinë e re, e cila do të formohet në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Deputetët aktualë, shumë prej të cilëve janë në listën aktuale të kandidimit nga partitë respektive, tashmë në fund të mandatit të këtij parlamenti kanë rralluar pjesëmarrjen në seancat plenare dhe i janë përkushtuar zonave të tyre elektorale ku do të luftojnë sërish për të marrë një tjetër mandat katërvjeçar. Disa prej tyre nuk do të jenë në listat e kandidimit, por mandati i tyre do të vazhdojë dhe për tre muaj të tjerë, pra dhe për tre muaj deputetët aktualë do të vazhdojnë të gëzojnë privilegjet e deputetit. Dalja në tregun politik e LZHK-së ka bërë që deputetët e djathtë, që do të mbeten jashtë liste, t’i drejtojnë sytë nga kjo lëvizje, siç është rasti i deputetit Pëllumb Berisha, i cili, pasi mbeti pa zonë elektorale, kandidon tashmë nën siglën e PD-së. Ndërkohë, ndryshimi i rregullores ka bërë që të ndryshojë dhe struktura e parlamentit dhe e grupeve parlamentare të tij. Partitë e vogla politike në këto zgjedhje u duhet të marrin 7 deputetë, nëse duan të kenë një grup parlamentar, në rast të kundërt do të përsëritet sërish fenomeni i huazimit të deputetëve nga aletatët e tyre më të mëdhenj.

Fushata

Në bazë të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, fushata zyrtare elektorale fillon 30 ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme. Pra, kjo fushatë duhej të fillonte më datë 3 qershor. Por, si gjithnjë politika shqiptare dhe kandidatët për deputetë të partive politike janë treguar të paduruar dhe kanë filluar që tani fushatën. Në të 100 zonat elektorale të vendit po zhvillohen takime, prezantohen kandidatë dhe jepen arsyet se përse i duhen dhënë votat kandidatëve të partive të ndryshme, ndërkohë që nuk mungojnë sulmet ndaj kundërshtarit, megjithëse është firmosur një Kod i Etikës, që bën fjalë pikërisht për reduktimin e sulmeve gjatë fushatës elektorale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›