Pollo prezanton kandidatin në zonën numër 49, në Golem
14/05/2005 Kryetari i reformatorëve, Genc Pollo, ka qenë dje në zonën 49, në Golem, të Kavajës, ku ka bërë prezantimin e kandidatit për deputet të kësaj zone, Durim Karaj. Gjatë fjalës së tij përpara elektoratit, kreu i PDR-së ndër të tjera tha se shkatërrimi i bregdetit të Golemit ka ardhur si pasojë e interesave të ngushta të qeveritarëve. “Këtu në bregdetin e Golemit, por në gjithë plazhin në jug të Durrësit, duket qartë xhungla e betonit që ka përzënë kordonin e pishave mesdhetare mbi rërë. Kjo xhungël tetëvjeçare jo thjesht u tolerua, por u provokua nga qeveria për interesa private. Qartazi këtu i është thënë lamtumirë turizmit elitar. Por ajo që mund të bëhet, por që fatkeqësisht nuk po ndodh, është ndërtimi i rrugëve e kanalizimeve furnizimi me korrent e ujë dhe një koncept për agroturizmin. Të gjitha projektet kanë mbetur në letra, ka dhe një projekt shumë të mirë gjerman, por një Zot e di pse ka ngecur. Vota juaj për PDR është edhe për ta aktivizuar jo vetëm këtë projekt, por dhe për një veprim më të gjerë”, tha Pollo. Gjatë këtij takimi, kreu i PDR-së tha se kthimi i besimit i referohet besimit që njerëzit duhet të kenë te lindja e një fryme të re politike të së djathtës.