E Hënë, 2 Nëntor 2026

PR prezanton kandidatët për deputet në Korçë

14/05/2005  Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, do të udhëtojë sot drejt Korçës, ku do të prezantojë kandidatët për deputetë të PR-së në këtë qytet. Republikanët, të cilët janë në aleancë me Partinë Demokratike pas rrëzimit të amendamentit “antidushk”, do të luftojnë në këto zgjedhje të marrin më së shumti votat e proporcionalit. Në tre zona, republikanët do të kenë kandidatët e tyre që do të garojnë nën siglën e PD-së në mazhoritar, në një zonë në Elbasan, një në Peqin dhe një tjetër në Vlorë. Vetë kreu republikan, Fatmir Mediu, do të jetë në listën e proporcionalit së bashku me krerë të tjerë të kësaj partie. Republikanët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare pretendojnë të marrin rreth 7 për qind të votave si parti, që do t’i mundësojë krijimin e grupit të tyre parlamentar. Republikanët e kanë bazuar platformën e tyre kryesisht te kthimi i pronave të të shpronësuarve pas vitit 1945, si dhe në abrogimin e ligjit 7501. Abrogimi këtij ligji bie ndesh me qëndrimin e PD-së për çështjen e pronave, e cila ka deklaruar se me ardhjen në pushtet nuk do ta rrëzojë këtë ligj, por, gjithsesi, kjo nuk i ka penguar republikanët të dalin në aleancë me demokratët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›