E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zogaj: “Javën e ardhshme raporti për taksën Majko”

14/05/2005  Kryetari i Komisionit parlamentar për hetimin e taksës së rrugës Durrës-Morinë do të lexojë raportin përfundimtar javën e ardhshme në parlament, ku do të bëhet dhe votimi për miratimin e tij. Kryetari i këtij komisioni, Preç Zogaj, tha se raporti është thuajse në përfundim dhe në fillim të javës së ardhshme do t’iu dërgohet deputetëve për miratim. Sipas tij, në qendër të hetimit është Ministria e Financave. “Ne kemi folur në parlament shifrën paraprake, por tani, meqenëse hetimi do të bëhet, pse të hedhim kot shifra?! Ne kemi folur për një shifër 63-65 milionë euro, megjithatë, hetimi do ta saktësojë, sepse ato janë para, as mund të fshihen, as mund të pakësohen, as nuk mund të zmadhohen në mënyrë arbitrare. Ministria e Financës, si të thuash, është institucioni qendror, rreth të cilit mbështillet gjithë hetimi ynë parlamentar, janë Drejtoria e Tatim-Taksave, është drejtoria e buxhetit, por thelbi është Ministria e Financave", tha Zogaj. Taksa e rrugës Durrës-Kukës është mbledhur deri në fund të vitit 2003 dhe deputetët e opozitës akuzojnë qeverinë se e ka përdorur këtë taksë, të destinuar për ndërtimin e kësaj rruge, për të mbuluar deficitin buxhetor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›