Deputetët votojnë javën e ardhshme imunitetin e Lesit
14/05/2005 Java e ardhshme do të shënojë dhe vendimin përfundimtar për heqjen ose jo të imunitetit të deputetit Nikollë Lesi. Përfundimi i mandatit përfundimtar ka bërë që Kuvendi të përshpejtojë shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë për këtë çështje. Kjo çështje është diskutuar disa herë në Këshillin e Rregulloreve dhe Mandateve, por në të gjitha rastet ky këshill e ka shtyrë vendimin që t’ia kalojë ose jo këtë kërkesë parlamentit. Lesi akuzohet nga prokuroria për shpifje në adresë të Kryeministrit Nano, pas leximit nga deputeti i PDK-së, që bënte fjalë për një trafik armësh në vitin 1998, me destinacion Kosovën. Në qendër të akuzave të Lesit u vu dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, i cili, sipas asaj çka thuhej në transkript, i ka kërkuar Nanos lehtësimin e dënimeve për trafikantët e armëve në atë kohë. Kjo është hera e dytë që imuniteti i Lesit votohet në parlamentin shqiptar. Herën e parë u votua e njëjta kërkesë e ardhur nga Gjykata e Lartë për këtë çështje, kërkesë që u hodh poshtë me shumicë votash nga deputetët. Gjithsesi, do ta ketë ose jo imunitetin deputeti Lesi, këtë do ta vendosë një nga seancat e fundit të parlamentit shqiptar.