Brenda javës së ardhshme, të votojmë tre ligjet e Brukselit

Reformat, Berisha thirrje kreut të opozitës
Kryeministri Berisha iu referua sërish dje nga mbledhja e grupit parlamentar të PD, suksesit historik të Shqipërisë, në marrjen e statusit të kandidatit për në BE. Duke e quajtur atë një vendim të rëndësishëm, historik në 100 vjetorin e pavarësisë, Berisha tha se erdhi si një dëshmi e vlerësimit të përpjekjeve të mëdha e të gjithanshme dhe suksesit të reformave në Shqipëri.
“Ky vendim është dëshmi e vlerësimit të përpjekjeve të mëdha, e arritjeve dhe suksesit të reformave në Shqipëri, pa të cilat, ky vendim do të ishte i pamundur. Reformave në fushën ekonomike, të cilat kanë bërë që Shqipëria, edhe në kushtet e krizës së thellë evropiane, të ketë një histori të qartë të performancës ekonomike jashtë recensionit. Reforma të thella janë ndërmarrë edhe në fushën e arsimit, shëndetësisë, në fushën sociale. Natyrisht, Shqipëria tregoi probleme serioze në votimin e ligjeve me 3/5, pasi parlamenti u bojkotua dhe nuk u votua për 2 vite më radhë. Por e drejta është e drejtë! Komisioni nuk do të rekomandonte kurrë marrjen e statusit për Shqipërinë, në rast se Shqipëria nuk do të kishte realizuar standardet ndërkombëtare në zgjedhje. Komisioni nuk do ta sugjeronte këtë, në rast se qeveria shqiptare nuk do të kishte treguar tolerancë dhe vullnet, për të bashkëpunuar me opozitën. E vërteta është se marrëveshja e nëntorit e vitit të shkuar, për dy vjet me radhë qëndroi pikë për pikë, në tryezën e opozitës. Më së fundi e pranoi dhe gjatë këtyre muajve u punua me frymë në tërësi mirëkuptimi. Jo vetëm u përfundua reforma zgjedhore dhe disa reforma të tjera, por ajo që është e rëndësie më të madhe, edhe kufizimi i imunitetit”, deklaroi Berisha.
Ai tha se Komisioni ka përcaktuar tre detyra, të cilat Komisioneri Fyle i shprehu qartë, që janë ligji për Gjykatën e Lartë, ligji për nëpunësin civil dhe rregullorja e Parlamentit.
“Tani, Komisioni ka përcaktuar tre detyra, të cilat Komisioneri Fyle, në konferencën e shtypit i shtroi qartë si drita e diellit: Votoni ligjin për Gjykatën e Lartë; votoni ligjin për statusin e nëpunësit civil; votoni rregulloren e Kuvendit. Unë uroj që këto ligje t’i votojmë këtë javë ose javën tjetër, pasi gjithçka është gati, në qoftë se nuk ekziston vullneti për t’i bllokuar ato”, theksoi ai.
Duke folur për çështjen e këshilltarëve të qarkut të Fierit, çështje e cila mban peng ligjet e integrimit, sepse opozita ka deklaruar se nuk do t’i votojë ato nëse nuk zgjidhet kjo çështje, Kryeministri ka sqaruar një vendim të Gjykatës së Lartë.
Sipas këtij, vendimi i është lënë në fuqi vula, firma dhe çdo gjë tjetër kryetarit aktual me një kusht, derisa çështja të zgjidhet në themel, e cila sipas Berishës nuk është në dorë as të tij dhe as të Ramës. Berisha vë në dukje kushtetutën dhe ligjet e vendit për Këshillin e Qarkut të komunave dhe bashkive.
“Ligji organik: neni 32 detyrat dhe kompetencat e këshillit komunal ose bashkiak. Këshillat zgjedhin përfaqësuesit e këshillit komunal ose bashkiak në këshillin e qarkut. Por çfarë thotë neni 52: mandati i këshilltarit të qarkut humbet kur anëtari mbaron mandatin, kur humbte mandatin si kryetar komune dhe bashkie. Mandati hiqet nga këshilli komunal ose bashkiak përkatës. Pra neni 5 tregon qartë se mandati hiqet nga këshillat dhe humbet dhe mandate në këshillin e qarkut sepse nuk mund të qëndrojë kush në qeveri nëse humbte shumicën në parlament sepse që në momentin e krijimit të një shumice tjetër parlamenti ka tagrin e krijimit të qeverisë së shumicës. Edhe këtu nëse shumica në këshilla ndryshon atyre u takon e drejta të kenë përfaqësuesin që duan”, theksoi kryeministri i cili ftoi kreun e opozitës të zbatojë këtë ligj.
“Ftoj zotin Rama në zbatim të këtij ligji, nëse do t’i japim zgjidhje më ligjore hajde mos bëjmë barrikada, të bëjmë këtë akt civiliteti dhe të votojmë ligjin e gjykatës kushtetuese në parlament”, vijoi Berisha i cili apeloi që Rama të zbatojë rregullat më elementare të funksionimit të organeve të zgjedhura, të cilat nuk mund të qëndrojnë kurrë nëse humbet shumica.