“Mandat qeverisës edhe në vitin 2013”
Kryeministri Sali Berisha feston 68-vjetorin e lindjes
3 dëshirat e Kryeministrit në përvjetorin e 68-të të lindjes; të ketë jetë sa gjysma e atyre që ka kaluar; mandate sa gjysma e atyre që ka kaluar dhe; të fitojë mandatin tjetër...
Në 68 vjetorin e ditëlindjes së tij, kryeministri Sali Berisha ka mbledhur grupin parlamentar të PD-së, në nisje të së cilës ka shprehur edhe 3 dëshira; të ketë jetë sa gjysma e atyre që ka kaluar; mandate sa gjysma e atyre që ka kaluar dhe; të fitojë mandatin tjetër.
“Ditëlindja e ka edhe momentin e saj të misterit. Sado që gjithçka është në dritë, prapë një vegim vjen e del edhe misteri. Dua t’ju rrëfej se, në momentin e misterit, u pyeta të shpreh tre dëshira. Dy i kisha gati: Kërkova dy gjysma të tjera të viteve dhe mandateve. E treta, ma lejo për vitin tjetër dhe u pranua. Nuk besoj se isha shumë lakmitar në kërkesat e mia. Thjesht, dy gjysma që më kanë mbetur”, deklaroi Kryeministri, i cili me këtë rast falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët dhe të afërmit për mbështetjen inkurajimin që i kanë dhënë, por theksoi se falënderimi parë i takon Zotit për forcën dhe frymëzimin.
“Nuk ka dyshim që, në këtë kontekst, falënderimi i parë i takon Zotit, për të gjitha mundësitë, forcën, frymëzimin, që të ka dhënë dhe të jep. Falënderimi i takon familjes, bashkëshortes, fëmijëve, njerëzve të mi të afërt, të gjithëve pa përjashtim, për sakrificën, mbështetjen dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm që kanë dëshmuar. Një falënderim i takon bashkëpunëtorëve të mi në Partinë Demokratike dhe grupin parlamentar të saj, anëtarëve, militantëve, drejtuesve të saj të të gjitha niveleve, të cilët kanë derdhur në drejtimin tënd energji të jashtëzakonshme, frymëzuese për ty. Ju takon punonjësve, bashkëpunëtorëve të ngushtë të parlamentit, të Këshillit të Ministrave, administratës shtetërore, më te cilët ti ke realizuar projektet që i ke mbrojtur dhe quajtur më të mira. Pra, kjo ditëlindje më jep një rast, t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë të gjithë atyre, që më kanë ndihmuar, më kanë inkurajuar, më kanë mbështetur, më kanë frymëzuar në punën time. Mbetem i detyruar ndaj gjithë secilit!”, vijoi kryeministri.
Berisha tha se ditën e ditëlindjes e filloi me një ogur të mbarë që ishte urimi i mbesës dhe konferenca me gratë biznesmene.
“Sot pata kënaqësinë e madhe ta filloj ditën e re, me një mesazh nga mbesa ime Sara, në orën 12-të të natës dhe aktivitetin e ditës e fillova me një konferencë të grave biznesmenë të Shqipërisë dhe të rajonit, të cilën e konsiderova një ogur shumë të bardhë”, theksoi më tej kreu i qeverisë.