“Brenda katër viteve, infrastrukturë moderne”
Kryeministri Berisha në Fushë-Krujë
Kryeministri Sali Berisha ka premtuar sot në Fushë Krujë, gjatë një mitingu të zhvilluar në kuadër të prezantimit të kandidatit për kryetar bashkie, Bilal Stafuka, se gjatë mandatit të ardhshëm qeveria do financojë çdo projekt për ndërtimin e një infrastrukture moderne.
Nga ky qytet, shefi i qeverisë vuri në krye të objektivave zhvillimin dhe progresin e vazhdueshëm të qytetit, ndërsa theksoi se i gjithë programi do të ketë një pikënisje, në të cilën vula mbetet kandidati për Bashkinë e Fushë-Krujës.
“Fushë-Kruja mbetet në histori si kryeqyteti i mikpritjes shqiptare, ndaj dhe unë dhe një herë duhet të përulem me nderim para jush, dhe ta shndërrojmë në sukses dhe fitoren e Bilal Stafukës në datën 8 maj dhe të kryetarëve të komunave të Fushë-Krujës”, tha Berisha. Përpara simpatizantëve, Berisha vuri në dukje arritjet sikurse dhe të gjitha objektivat e qeverisë, për investime të cilat do të kenë destinacion zhvillimin.
“Janë investuar 1 miliard e 100 milion lekë. Këto investime do të shumëfishohen. Fushë-Kruja do të ketë infrastrukturën më moderne që meriton, do të jetë një hyrje model të kryeqytetit. 4 vitet që vijnë, qeveria do të financojë çdo projekt të Stafukës për asfaltimin e rrugëve, rrugicave dhe ndriçimin e tyre. Qeveria do të financojë për ndërtimin e shkollave. Kemi dalë në kategori të parë dhe fushën e sportit do ta shndërrojmë në një stadium të vërtetë. Fushë-Kruja, do të ketë Unazën e vetë. Luzi do të ketë bay passin. Do fillojë ndërtimi i autostradës Fushë Krujë-Thumanë. Do të ndërtojmë Europën në Fushë-Krujë”, deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha.
Me anë të këtij premtimi, kryeministri përcolli mesazhin e qartë, se progresi do të vijojë, ndërsa hodhi poshtë akuzat e kryesocialistit Rama, se në vend ka 1 mijë të papunë. Për të, kjo krizë ekonomike nuk ekziston, por është një shpifje e radhës, ndërsa dëshiron të përdhosë të vërtetën.
Sipas Berishës rruga e vetme është rruga e përbaltjes. “Edi Rama ka zgjedhur rrugën e vetme, mendon se mund të përbaltë Sali Berishën. Gabon rëndë, se në atë rrugë dëshmon se do të përballtë çdo shqiptar, arritjet tuaja, gjithçka që ne kemi realizuar me mund dhe djersë”, tha ai.