Fakti/Pas asfalteve elektorale, Edi Rama degradon tek bari elektoral në sheshin “Skënderbej”
S’është parë ndonjëherë që në sheshin qendror të kryeqytetit, atë “Skënderbej”, të punojnë aq shumë punëtorë, sa këto ditë, në prag të zgjedhjeve vendore. Hapësira pas monumentit të Gjergj Kastriotit Skënderbeu po shtrohet me barë. Punëtorët aty janë mobilizuar me të gjithë energjitë e tyre për të përfunduar shtrimin sa më shpejt. Kjo shenjë ndoshta tregon se kryetari i bashkisë Edi Rama po mendon të inaugurojë përfundimin e punimeve në shesh para datës 8 maj, pra para zgjedhjeve për pushtetin bashkiak.
Nga shkrimet e herëpashershme të gazetës “55”, për mënyrën se si po ecnin punimet në sheshin “Skënderbej”, fakt është se ato u zvarritën. Edhe pse për këto punime po vuani gjithë kryeqyteti, po rëndohet trafiku e po ndotet mjedisi, Bashkia nuk i është përmbajtur afateve.
Megjithatë, duke pasur parasysh se data 8 maj është shumë e rëndësishme, ku bëhet fjalë për të treguar premtimet dhe arritjet, ndoshta sheshi edhe mund të inaugurohet. Do të ishte një ceremoni surprizë për të gjithë banorët e kryeqytetit.