“Mandatin e ardhshëm, bashkia e Elbasanit do ketë një vëmendje të veçantë ndaj grave”
Kandidati për Bashkinë e Elbasanit, takim me gratë e qytetit në lagjen “Vullnetari”
Kandidati i “Aleancës për Qytetarin” në bashkinë e Elbasanit, Durim Hushi, ka zhvilluar dje një takim me gratë e qytetit në lagjen “Vullnetari”.
I shoqëruar nga zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni, Hushi i falënderoi gratë e kësaj lagjeje për takimin, si edhe u bëri të ditur se ato do të jenë në vëmendjen e tij, kur të jetë në krye të Bashkisë së Elbasanit. “Në Elbasan ndodhin rreth 8 vjedhje në ditë kundrejt grave. Unë do të bashkëpunoj me policinë, në mënyrë që gratë të jenë më të sigurta në qytetin e tyre. Gjithashtu, çdo rrugë dhe rrugicë e kësaj lagjeje, do të asfaltohen dhe do të ndriçohen, që ju të lëvizni të qeta”, u premtoi Hushi.
Nga ana e tij, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, në fjalën e tij i falënderoi për ftesën, si edhe i shprehu mbështetjen Durim Hushit. “Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, sepse nga Elbasani kam marrë gruan dhe jam si gjysmë bir i Elbasanit”, u shpreh Poni.
Gjithashtu ai në lidhje me programin e Hushit, deklaroi se, “Unë jam për një Shqipëri më të mirë, për një Elbasan më të mirë. Për një Elbasan ndryshe, si edhe për një Elbasan Europian, i cili ka fytyrën tuaj. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet Durim Hushit si kryetar i Bashkisë së Elbasanit”.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, gratë i shprehën mbështetjen e plotë kandidatit të “Aleancës për Qytetarin”, Durim Hushin, si edhe e falënderuan qeverinë për projektin e ndërtimit të tunelit që do të lidhë për 15 min Tiranën me Elbasanin.