Brenda korrikut, formë e re vlerësimi për spitalet
Brenda korrikut, Ministria e Shëndetësisë duhet të përcaktojë standardet për të gjitha spitalet e vendit. Në bazë të tyre do të bëhet vlerësimi e listimi i tyre për cilësinë e shërbimit që ofrojnë. Këtë kusht ka vënë qeveria. Aktualisht, sipas një monitorimi të kryer nga qendra e cilësisë dhe akreditimit të institucioneve shëndetësore, asnjë prej spitaleve në vend nuk plotëson standardet. Mangësi të theksuara janë vërejtur në mënyrën si trajtohet pacienti, sa i përket higjienës, mbajtës së kartelave dhe shumë elementëve të tjerë të rëndësishëm për mirëfunksionimin e tyre. Përcaktimi i standardeve të vlerësimit do të mundësojë më në fund transparencën ndaj pacientëve. Ata do ta dinë me siguri i sati renditet një institucion shëndetësor, çfarë cilësie shërbimi i ofron. Deri tani një gjë e tillë nuk është bërë as me spitalet publike e as me klinikat private. Tashmë me nisjen e reformës së re, sipas së cilës spitalet janë përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore dhe do të vetëfinancohen, kriteret vlerësuese janë domosdoshmëri. Qendra e cilësisë dhe akreditimit të institucioneve shëndetësore ia ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë kryerjen e këtij procesi që prej disa vitesh.