E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poliçan, dy jetimët shtetit: Vini dorën në zemër për ne

 

POLIÇAN/ DILAVER XHELILI

Në katin e katërt të pallatit ku jeton familja Kapxhiu në Poliçan, djali i mbetur jetim bashkë me të motrën presin e përcjellin njerëz. Tashmë Endrit Kapxhiu, vetëm 19 vjeç, e di se e pret një jetë e vështirë. I duhet të mendojë jo vetëm për mbarëvajtjen në studimet e tij, por edhe për shkollimin e së motrës, Anjezës. “Do të punoj pas mësimit. Do bëj gjithçka që motra ime të rritet mirë”, shprehet Endriti, të cilit tashmë i ka rënë një barrë e rëndë. Ai është zot i kësaj shtëpie, e cila vetëm pak muaj më parë ishte plot... Sot kjo shtëpi e vogël dhe e varfër është shkretuar. Tetë muaj më parë, një infarkt mori jetën e babait të tyre. Ali Kapxhiu me profesion mësues la fëmijët dhe gruan, pa e ditur se kjo e fundit shumë shpejt do të shkonte pas tij. Suzana Kapxhiu, pas vdekjes së të shoqit vijoi punën në kombinatin e armëve, duke dashur t’iu siguronte dy fëmijëve të saj një jetë ashtu si edhe moshatarët e tyre. Por një aksident i rëndë në punë i mori asaj jetën të martën e kaluar, duke lënë Endritin dhe Anjezën në mëshirë të fatit. Djali 19-vjeçar, student në Tiranë i bën apel qeverisë të vërë dorën në zemër për këtë fatkeqësi që ra në familjen e tij.
Endrit, si ndihesh në këto momente?
Pa u tharë ende lotët dhe dhimbja për humbjen e babait, një tjetër dhimbje më e madhe na ndodhi në familje, ajo e humbjes së nënës. Ajo ishte për ne edhe nënë, edhe baba. U mundua të punonte për të na mbajtur ne, dhe fati deshi që ajo të humbte jetën. E si mund të ndihet një djalë i moshës sime kur humbet gjithçka në pak kohë?! Unë tashmë nuk kam se kujt t’i thërras as nënë e as baba. Kam mbetur vetëm me motrën. Për ne të dy kjo dhimbje është shumë e madhe. Por do të gjejmë forca për të vazhduar.
Pasi humbët dy prindërit, çfarë do të bëni tani? Do të vijosh studimet?
Në radhë të parë unë do të mendoj për motrën që kam në klasën e 9 – të. Dihet tashmë se jeta jonë do të jetë e vështirë në disa drejtime. Do të kemi vështirësi ekonomike, pasi nuk kemi asnjë të ardhur. Do të na mungojë mbështetja prindërore. Por unë do të punoj pas mësimeve për të nxjerrë të ardhura. Ato do t’i përdor për shkollimin tim dhe të motrës. Dua që as ajo të mos ndiejë mungesa financiare.
A ndiheni i trembur për përballimin e jetës vetëm me të ardhurat që ju mund të nxirrni pas orarit të mësimit?
E lehtë nuk është, por edhe e parealizueshme nuk është. Unë do të sakrifikoj që bashkë me motrën të shkollohemi. Pasi të mbarojmë studimet, ne do të jemi në gjendje për ta përballuar jetën. Pavarësisht se për momentin jemi të varfër, ne nuk duhet të ulim moralin për të jetuar si gjithë të tjerët.
Pas ngjarjes, si ka qenë mbështetja e pushtetarëve lokalë?
Kryetari Bashkisë Adriatik Zotka na është gjendur pranë. Bashkë me Këshillin Bashkiak, Zotka më akordoi bursë. Kjo është ndihmë shumë e madhe për mua.
A keni një apel për shtetin?
Ne ndodhemi në një gjendje ekonomike të rënduar. E vetmja ndihmë tani mbetet të jetë shteti, pasi nuk kemi prindër. I kërkoj qeverisë të na lidhë një pension për të jetuar se nuk e përballojmë dot jetën në këto kushte që ndodhemi. Unë dhe motra ime i bëjmë thirrje qeverisë që të vërë dorën në zëmër për të na ndihmuar.

Motra e vogël: Duhet të mësoj
POLIÇAN - Anjeza, ndonëse është vetëm 15 vjeçe, kur mori lajmin e hidhur për vdekjen e së ëmës përgatiti shtëpinë për pritjen e ngushëllimeve. Ashtu sikurse edhe vëllai i saj, ajo i bën apel shtetit t’i ndihmojë. Këto ditë ajo nuk ka shkuar as në shkollë. Ka pritur e përcjellë njerëz, ndërsa në ditët në vazhdim do të zhvendoset tek të afërmit e saj. Do të jetojë me ta, të paktën sa të rritet edhe ca. Tani Anjeza është në klasën e nëntë, ndërsa i vëllai ka nisur të vrasë mendjen se si ajo të shkollohet. “Kur mora lajmin për vdekjen e nënës u trondita shumë. Por e mblodha vetën dhe fillova të merrem me problemin e familjes. Përgatita shtëpinë për pritjen e atyre që do të vinin për të ngushëlluar”, u shpreh 15–vjeçarja. Tashmë ajo mbeti e vetme. Vëllai i saj për pak ditë do të niset në Tiranë për të vijuar studimet, ashtu siç dëshironin edhe prindërit e tyre. Ndërsa ajo ka ngulitur mirë porosinë e të vëllait: Duhet të studiojë për t’i mbijetuar varfërisë më vonë. 

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›