Komunat marrin paratë, mungojnë investimet
SHKODER – Komunat malore të Shkodrës nuk kanë kryer investimet për të cilat kanë marrë fondet. Sipas drejtoreshës së Degës së Thesarit në këtë qark, Emilia Koliqi, në këto zona ka shifra tepër të ulëta të investimeve të kryera nga vendorët. Në këto komuna nuk është bërë as grumbullimi i të ardhurave vendore, duke penguar zbatimin e projekteve të parashikuara prej vetë atyre. Po sipas Koliqit, komunat Pult, Shalë, Shosh e Shllak, kanë nivele të ulëta të realizimit të së ardhurave. Komuna Pult paraqitet nw kuotën e 5%, komuna Shosh 2 %, komuna Shalë 11% dhe komuna Shllak 14%. Këto nivele do të bëjnë, që këto njësi të qeverisjes vendore të mos realizojnë investimet në mirëmbajtje rrugësh apo në objekte të tjera të parashikuara. Ndërsa prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, tha se kryetarët e njësive të qeverisjes vendore, duhet të tregohen të kujdesshëm në këtë drejtim. Cungu ka theksuar se janë financuar projekte të ndryshme, në bashki e komuna, në shuma të ndryshme parash, si: Bashkitë Shkodër, Koplik, Pukë, Malësi e Madhe, komunat Bërdicë, Shalë, ana e Malit, Bushat, Dajç, etj. Por, ashtu siç u cilësua në analizimin e situatës duket se është sëmundje e kahershme e lokalëve të Shkodrës dhe sidomos të komunave malore, që të mos realizojnë investimet. Në fakt, gjithmonë “kryekomunarët janë ankuar se nuk kanë fonde”, por edhe tani që ka sasi të mëdha lekësh në dispozicion nuk shikohet ndonjë punë më e mirë nga ana e tyre dhe kjo hedh poshtë teorinë e “punës së madhe të tyre, por mungesës së fondeve”. r.d