Konflikti në Gaza, frikë për përfshirjen e gjithë rajonit
Në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit në Palestinë është përfshirë edhe Libani, duke hapur kështu frikën e një lufte gjithëpërfshirëse në rajonin e brishtë të Lindjes. Tashmë është bërë publike, që të rinj nga Afganistani dhe Irani kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar palestinezët në Rripin e Gazës kundër Izraelit. Autoritetet izraelite kanë njoftuar se nga Libani janë hedhur tri raketa në territorin izraelit. Izraeli ka sulmuar më pas me mortaja veriun e Libanit. Ende nuk është e qartë se kush qëndron prapa sulmeve, por Izraeli ka akuzuar Hezbollahun në qeveri për përfshirje në këto aksione. Një ministër nga grupi shiit Hezbollah i ka mohuar këto akuza, duke shtuar më tej, se qeveria libaneze e ka dënuar këtë sulm. Qeveria libaneze i ka kritikuar këto sulme me raketa, ndërsa komandanti i paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në këtë vend ka bërë thirrje për “përmbajtje maksimale” në të dyja shtetet. Raketat, që nuk kanë shkaktuar pasoja serioze, ishin të parat që u hodhën nga Libani prej luftës së Izraelit kundër militantëve të Hezbollahut në Liban, në vitin 2006. Sipas BBC, sulmi i fundit me raketa nga Libani ishte përgjigje e një prej netëve më intensive të ofensivës ushtarake izraelite në Rripin e Gazës. Ushtria izraelite njoftoi për 60 sulme ajrore gjatë natës, disa prej të cilave kishin në objektiv tunelet në afërsi të kufirit mes Egjiptit dhe Gazës. Nga konflikti në Palestinë kanë humbur jetën mbi 760 njerëz. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork po përpiqet për miratimin e një rezolute për situatën në Rripin e Gazës mbeten të bllokuara. Rezoluta e parë e propozuar nga Libia dështoi për shkak të mospërkrahjes amerikane me argumentin se teksti i projektrezolutës është i njëanshëm dhe shumë kritik ndaj Izraelit. Franca, Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë propozuar një deklaratë presidenciale, më pak zyrtare, të Këshillit të Sigurimit, e cila e mbështet nismën e Egjiptit. Negociatat po vazhdojnë dhe ministrat e Jashtëm të tre anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës, po qëndrojnë në Nju Jork për të ndihmuar përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje. Ndërkohë Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka akuzuar forcat izraelite se nuk i ndihmojnë njerëzit e plagosur në lagjet e Gazës dhe se kanë dështuar, që t’i lejojnë ekipet e Kryqit të Kuq të depërtojnë në këto hapësira. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar njoftoi se ekipet e tij, katër ditë pas bombardimeve, nuk ishin lejuar të shkojnë në kufi të Palestinës, duke e vlerësuar incidentin si shokues.