Breshëri dëmton të mbjellat në zonat malore
Reshjet e fundit, përveç anës pozitive që kanë pasur për bujqësinë, kanë shkaktuar edhe dëme. Në zonat e thella të Rrethit të Kukësit, përkatësisht në zonën e Topojanit, Turajt, Brekijës etj., shiu i rrëmbyer ka dëmtuar arat e mbi 150 fermerëve, kryesisht të mbjellat me patate. Banorët thanë se arat e mbjella ditët e fundit janë rrënuar nga shiu për shkak të terrenit shumë të pjerrët dhe erozionit, çka ka bërë që banorët të shënojnë humbjen e parë të punës së tyre ende pa nisur mirë. Në fshatrat e këtyre zonave ende nuk është bërë ndonjë përllogaritje e dëmit të shkaktuar, por specialistët tregojnë se dukuria e shiut të rrëmbyer që është mjaft e rrallë në këto ditë të qershorit, ka dëmtuar rreth 70 hektarë të mbjella me patate. Në tërësi fshatarët kanë nisur të mbjellin për së dyti të gjithë pjesën e dëmtuar, ndonëse moti vazhdon të jetë shumë i lagësht. Në fshatrat e zonës së lartë të Kukësit prodhohen mbi 10 mijë kuintalë patate në vit, që përbën një përqindje të mirë të tregut të brendshëm të këtij produkti, si dhe furnizon një pjesë të tregut të Kosovës.