E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungon gjaku, spitalet nuk përballojnë dot as urgjencat

Rezervat e pakta në Bankat e Gjakut të Lushnjës dhe të Fierit kanë detyruar sërish mjekët dhe përfaqësuesit e Kryqit të Kuq të apelojnë për të dhuruar gjak. Sipas specialistëve në Punktin e Gjakut në Fier, rezervat janë shumë të ulëta. "Jemi në një fazë që nuk përballojmë dot as urgjencat. Detyrojmë familjarët e pacientëve që të dhurojnë gjak në urgjencë. Nuk ka më dhurues vullnetarë në Fier", thonë mjekët në Bankën e Gjakut të Fierit. Të njëjtin shqetësim shpreh edhe specialisti i Qendrës Rajonale të Hematologjisë në Lushnjë, Mehmet Xhindole, i cili thotë se "kanë mbetur vetëm katër flakonë rezervë në frigoriferët e punktit. Ndodhemi në një situatë vërtet alarmante". Mjeku specialist, Mehmet Xhindole, thotë se mungesa e gjakut është ndjerë më shumë tek të sëmurët talasemikë, të cilëve qendra e Lushnjës nuk u është përgjigjur me gjak në mënyrë të vazhdueshme, ashtu si kërkon veçoria e sëmundjes së tyre. Kryqi i Kuq ka ndërmarrë një fushatë sensibilizuese për dhurimin vullnetar të gjakut. Ditët e fundit, fushata është zhvendosur në ambientet e Bashkisë së Fierit. Mësohet se një pjesë e madhe e administratës së Bashkisë së Fierit i është përgjigjur apelit për të dhuruar gjak, madje dhe vetë kreu i kësaj bashkie ka qenë një prej tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›