E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia në gjyq, shiti pa të drejtë një makinë të sekuestruar

Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit dhe Prokuroria e këtij rrethi, prej një muaji janë në dyert e gjykatës për një padi civile. Një automjet i sekuestruar disa vite më parë nga policia pas një ngjarjeje të ndodhur në atë kohë, është shkatërruar dhe është shitur për skrap, duke shkelur të drejtën e rikthimit të pronës te pronari legjitim. Për këtë shkak, Drejtoria e Policisë dhe Prokuroria e Fierit rrezikojnë të paguajnë një dëmshpërblimin prej 450 mijë lekësh. Gjithçka nisi në vitin 2005, kur në qytezën e Patosit ndodhi vrasja e 20-vjeçarit, Renato Xhelaj, i cili u ekzekutua nga një bashkëqytetar me armë zjarri brenda në mjetin tip "Mercedes Benz" me targa FR2651C. Në ngjarje, mbeti i plagosur babai i tij, Xhelal Xhelaj, atëherë 45 vjeç. Sipas të mbijetuarit, Xhelal Xhelaj, ngjarja ndodhi për një parakalim të gabuar automjeti dhe fyerje të ndërsjella që degjeneruan në shkëmbim zjarri. Pas kësaj ngjarjeje, policia, pas ndalimit të autorit të ngjarjes, sekuestroi dhe automjetin e viktimës. Mjeti "Merceds Benz 240" me ngjyrë gri, me targa FR2651C u mbajt për disa kohë në ambientet e Komisariatit të Fierit, ndërsa familjarët prisnin që pasi të përmbusheshin detyrimet ligjore, t‘u rikthehej prona e të birit. Pas disa kohësh, makina jo vetëm që nuk u rikthye, por u shit për skrap. Xhelali aktualisht 49 vjeç, ka bërë padi në gjykatë dhe i përfaqësuar nga avokati i tij, Kristaq Profka, kërkon dëmshpërblim me vlerën e mjetit, duke bërë rivlerësim të tij me vlerën e tregut. Sipas avokatit, veprimi i policisë është plotësisht i paligjshëm, pasi në ligj nuk përcaktohet që pronat e sekuestruara të shiten apo të shkatërrohen, por ato duhet t‘u kthehen pronarëve të ligjshëm në momentin që ligji ua jep këtë të drejtë. Përpara trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Roland Hysi, përfaqësues të Komisariatit të Fierit janë shprehur se automjeti nuk ishte në gjendje të mirë teknike dhe se ishte amortizuar gjatë qëndrimit në ambientet e komisariatit. Kjo ka qenë arsyeja, sipas tyre, që është vendosur shkatërrimi dhe shitja e materialeve për skrap, duke i kaluar të ardhurat nga kjo shitje në arkën e shtetit. Pronari legjitim i makinës pohoi se nuk është pyetur më përpara për fatin e pronës së tij, pasi vendimi për shitjen apo shkatërrimin e makinës, i përkiste vetëm atij, si pronar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›