Qeveria dërgon edhe katër ambasadorë të tjerë te Topi
adi shkembi
Qeveria dërgon në Kuvend katër ambasadorë në vende të mbetura vakant dhe përfaqësi diplomatike të hapura së fundi. Brenda pak ditësh, shkon në shtatë numri i përfaqësuesve diplomatikë të Tiranës që i shkojnë Presidentit Topi për dekretim. Burime nga Komisioni i Jashtëm parlamentar bënë të ditur dje për gazetën se ministri i Jashtëm, Lulzim Basha dhe Kryeministri Berisha kanë çuar në Kuvend emrat e ambasadorëve për në Indi, Holandë, Arabinë Saudite dhe Rusi.
Ambasadorët e rinj
Kështu Fatos Kërçiku, i cili deri tani ka mbajtur postin e të ngarkuarit me punë në Japoni, është propozuar për ambasador në Indi, ku së fundi Shqipëria ka hapur ambasadën e saj. Në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, e cila pritet të mbahet të martën e ardhshme, do të diskutohet edhe propozimi i Sokol Gjokës si ambasador i Shqipërisë në Rusi. Sokol Gjoka ka qenë më parë ambasador i vendit tonë në Poloni. Në vitin 1999, ai ka pasur funksionin e zëdhënësit të kryeministrit të asaj kohe, Pandeli Majko. Gjithashtu ai ka mbajtur edhe postin e zëdhënësit në Ministrinë e Jashtme gjatë kohës që ky institucion drejtohej nga Paskal Milo. Gjoka shkon në Rusi pas tërheqjes së Teodor Laços, ndërkohë që deri në këto momente i ngarkuar me punë ka qenë Arben Doçi. Një tjetër propozim është ai i Gazmend Barbullushit si ambasador në Holandë, në vend të Roland Bimos. Prej shumë muajsh Barbullushi ka mbajtur postin e të ngarkuarit me punë të Shqipërisë në Gjermani, për shkak të heshtjes së tejzgjatur të Presidentit Topi për të emëruar Mal Berishën si ambasador në Berlin. Kjo bëri që Kryeministri Berisha të tërhiqet, duke emëruar në këtë vend Valter Ibrahimin, i cili mbante postin e ambasadorit në Austri. Propozimi i katërt është ai i Nuri Domit si ambasador i Shqipërisë në Arabinë Saudite. Në mesin e këtij muaji, Komisioni i Jashtëm zhvilloi seanca dëgjimore me tre kandidatë të tjerë për ambasadorë, të cilët më pas ia përcolli Presidentit Topi për dekretim. Kështu përveç Valter Ibrahimit, i cili do të dekretohet ambasador në Gjermani, Qeveria ka propozuar Shpëtim Çaushin si ambasador në Serbi dhe Edmond Trakon në Portugali. Por votimi në Komisionin e Jashtëm u bë pa prezencën e opozitës, e cila u shpreh nëpërmjet Arta Dades në përfundim të mbledhjes së komisionit se, “ne kemi kundërshtitë tona lidhur me lëvizje të pajustifikuara dhe në nivel ambasadorësh në prag zgjedhjesh”. Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme, nga 46 përfaqësi diplomatike që ka Shqipëria, në gjashtë prej tyre nuk ka ambasadorë, por të ngarkuar me punë. Kështu sipas rendit alfabetik, vendet pa ambasador janë Egjipti (i ngarkuar me punë Ilir Hoxha); Gjermani (Gazmend Barbullushi); Malajzi (Dilaver Qesja); Rusi (Arben Doçi); Spanjë (Ridi Kurtezi); Japoni (Fatos Kërçiku).
Propozimet e reja
• Fatos Kërçiku Indi
• Gazmend Barbullushi Holandë
• Nuri Domi Arabi Saudite
• Sokol Gjoka Rusi