Gjinushi: Qeveria të largohet, nuk na integron
Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, kërkoi dje largimin e qeverisë, pasi sipas tij ajo është e paaftë të integrojë vendin në BE. Gjatë një konference për shtyp, Gjinushi u shpreh se “qeveria shqiptare ka dështuar në përshpejtimin e etapave për të marrë ftesën si vend kandidat për në BE, pasi në këto 4 vjet ne duhet të kishim fituar statusin e vendit kandidat. Ne s’na lejohet as të bëjmë kërkesë, quhet e parakohshme, prandaj kjo qeveri duhet të largohet”. Gjinushi akuzoi qeverinë e djathtë se me këtë mënyrë qeverisje ka thelluar varfërinë ekonomike për shqiptarët, ndërsa kriza institucionale po thellohet çdo ditë. Sipas tij, “e vetmja alternativë e qeverisë është të përgatisë largimin e saj të butë nëpërmjet zgjedhjeve të lira në qershor 2009”. “Në vend të reflektimit qeveria e mashtrimit dhe e Gërdecit është përpjekur të fshehë krizën dhe dështimin e saj, duke fshehur inflacionin, pra rritjen e çmimeve dhe manipuluar rritjen ekonomike, nëpërmjet INSTAT dhe ministrave marioneta dhe flet për një bum ekonomik”, tha Gjinushi.