E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dosja Gërdeci ka sekrete kombëtare”

 

Trazhgim Sokolaj

Karakteri sekret i materialeve që përmban dosja “Gërdeci” e ka bërë të pamundur njohjen e familjarëve të viktimave me aktet hetimore të Prokurorisë. Materialet e dosjes janë kërkuar nga familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit për t’i përdorur si prova në ngritjen e një padie dëmshpërblimi ndaj shkaktarëve të ngjarjes së rëndë të 15 marsit 2008. Të afërmit e viktimave, duke besuar se provat e Prokurorisë do t’i ndihmojnë në procesin ku kërkojnë dëmshpërblim nga shkaktarët e ngjarjes, kanë kërkuar një kopje të materialeve të dosjes, të cilën Prokuroria refuzon ta dorëzojë. Pas kontradiktave lidhur me këtë çështje, të cilat duket se kanë futur në konflikt Prokurorinë me të afërmit e viktimave të tragjedisë, këta të fundit kanë paditur organin e akuzës në Gjykatën e Tiranës. Objekti i padisë është dorëzimi i provave të dosjes “Gërdeci” me të cilat familjarët e viktimave duan të ngrenë një padi ndaj Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit e Dritan Minxollit, duke u kërkuar atyre dëmshpërblim financiar për shkatërrimin e shtëpive e pronave dhe plagosjen e humbjen e jetës së njerëzve të afërt. Përfaqësuesit e të afërmve të viktimave të tragjedisë akuzuan dje Prokurorinë, se duke mos dhënë provat është duke sabotuar kërkesën e të lënduarve për dëmshpërblim. Sipas avokatëve, në Gjykatën e Tiranës dje u shty seanca e tretë e procesit që të afërmit e viktimave të Gërdecit kanë hapur kundër Prokurorisë. Organi qendror i akuzës edhe më parë ka deklaruar se provat që përmban dosja “Gërdeci” janë materiale të klasifikuara, të cilat nuk mund të shpërndahen deri në fund të gjykimit për 30 të pandehurit e çështjes. Duke mos i dhënë provat për të afërmit e viktimave, duket se Prokuroria indirekt ka penguar ngritjen e një padie të kushtueshme për dëmshpërblim ndaj Mihal Delijorgjit, i konsideruar si një nga përgjegjësit kryesorë të ngjarjes.
Sekretet e Gërdecit
Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit thuajse kanë protestuar kundër Prokurorisë së Përgjithshme, e cila po përmbyll hetimin e çështjes. Burime zyrtare nga organi i akuzës thanë se edhe tani kur provat u janë komunikuar shumicës së personave të pandehur, dokumentet e dosjes është e pamundur t’u vihen në dispozicion familjarëve të viktimave. Shkak për këtë është bërë klasifikimi i materialeve sekret, për shkak se në fashikull mësohet se ka të dhëna ushtarake-teknike mbi sigurinë kombëtare si dhe një sërë përgjimesh telefonike që u janë bërë të pandehurve pas tragjedisë. Në përmbajtje të këtyre përgjimeve mësohet se ka të dhëna që flasin për çështje të karakterit sekret, publikimi i të cilave mund të jetë në kundërshtim me ligjet. Kërkesa e familjarëve të viktimave për t’u njohur me provat e dosjes “Gërdeci”, me qëllim për t’i përdorur ato për marrje dëmshpërblimi nga shkaktarët e ngjarjes, është depozituar në prokurori vetëm pak kohë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gërdec. Mirëpo për shkak të mospërgjigjes së Prokurorisë, të afërmit e viktimave iu drejtuan Gjykatës së Tiranës me një padi për këtë qëllim. Në këtë proces, Prokuroria deklaroi se provat e dosjes nuk mund të bëhen publike, pasi dëmtojnë hetimin e çështjes.

Provat, thirret në Prokurori ish-sekretari i Ministrisë

TIRANE – Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullai, është një nga zyrtarët më të fundit që është njohur me provat e Prokurorisë kundër tij. Burimet e Prokurorisë së Përgjithshme thanë dje se ish-zyrtari i lartë i dikasterit të mbrojtjes, u paraqit dhe mori në dorëzim ashtu si të pandehurit e tjerë, provat penale të mbledhura gjatë hetimeve 1-vjeçare për tragjedinë e Gërdecit. Gjatë kësaj kohe mësohet se Prokuroria ka grumbulluar qindra prova materiale që fajësojnë të pandehurit, përfshi këtu shkresa zyrtare dhe jo zyrtare si dhe deklarime dëshmitarësh dhe më tej ekspertime shkencore apo kontabël të realizuara me qëllim evidentimin e shkeljeve ligjore dhe dëmit të shkaktuar shtetit nga veprimtaria e demontimit të fishekëve dhe predhave në ish-repartin ushtarak të tankeve në Gërdec. Prokuroria e Përgjithshme i fajëson ish-zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes së kanë shkaktuar tragjedinë me anë të urdhrave dhe kontratave të firmosura prej tyre, ndërsa ish-zyrtarët e ushtrisë akuzohen se me mosveprimet e tyre të kryera me dashje kanë lejuar ardhjen e pasojave, konkretisht 26 të vdekur, 300 të plagosur dhe mbi 5 mijë banesa të shkatërruara në të gjithë zonën.

Ish-ministrit Mediu i shkon dosja me postë

TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar postën si rrugën e duhur për të njohur ish-ministrin e Mbrojtjes, Mediu, me provat që ekzistojnë kundër tij. Organi qendror i akuzës mësohet se ka dërguar në adresën zyrtare të ish-ministrit Mediu, në një pako postare të gjithë materialin në të cilin është bazuar në ngritjen e akuzës “shpërdorim detyre”. Për t’i provuar Gjykatës më pas se ka plotësuar detyrimet ligjore-procedurale ndaj të pandehurit, Prokuroria mësohet se ka administruar në dosjen penale faturën dhe mandat arkëtimin e pakos postare, e cila është dërguar në adresë të ish-ministrit të Mbrojtjes. Nuk ka ndonjë konfirmim nëse ai ka marrë në dorëzim provat e dërguara nga Prokuroria, e cila gjithsesi kishte lajmëruar verbalisht avokatët mbrojtës. Dërgimi i provave dhe prezantimi i tyre në formën e njoftimit me anë të rrugës postare, njihet nga ligji dhe procedura penale si një nga mundësitë procedurale të Prokurorisë në rastet e veprimeve përmbyllëse të procesimit penal. t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›