E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja, qeveria shqiptare i ofron Kosovës portin e Shëngjinit

 

Shqipëria pranon t’i lëshojë Kosovës portin e Shëngjinit. Tre ministra të qeverisë së Kosovës i paraqitën dje në mesditë Kryeministrit Berisha vendimin e qeverisë së Kosovës për të hapur bisedimet rreth portit të Shëngjinit, për të cilin qeveria e Kosovës ka ngritur një grup ndërministror. “Përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës ndodheshin në Shqipëri për t`i dorëzuar Kryeministrit Berisha letrën e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për krijimin e një grupi ndërministror të përbashkët për të shqyrtuar procedurat për ndërtimin e një porti në Shqipëri, që do të ketë destinacion Kosovën. Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen grupit të ministrave të Kosovës dhe u shpreh se Shqipëria është plotësisht e gatshme që Kosovës t`i akordohet  një port për të plotësuar nevojat e saj”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave lidhur me takimin e Kryeministrit Berisha me ministrat Fatmir Limaj, Ahmet Shala dhe Lutfi Zhargu. Sipas njoftimit, të dyja palët diskutuan gjerësisht mbi nevojën e një studimi mbi zgjerimin e mundshëm të portit të Shëngjinit, në mënyrë që ai të plotësojë me kapacitetet e tij nevojat e shtetit të Kosovës. Gjithashtu u theksua se rruga e re Durrës-Kukës pas përfundimit do të shkurtojë ndjeshëm distancën e Kosovës me detin Adriatik dhe pas mbarimit edhe të portit distancën e Kosovës me tregun e gjerë evropian. Kryeministri u shpreh se ai dhe qeveria shqiptare ndjekin me vëmendje dhe admirim zhvillimet pozitive në Kosovë, të cilat po e çojnë Kosovën drejt një konsolidimi të sigurt të pavarësisë të shtetit ligjor dhe duke konsoliduar rolin e saj si faktor stabiliteti në rajon. Gjatë vizitës në Tiranë, tre ministrat e kabinetit qeveritar u takuan edhe me Presidentin Topi. “Në mënyrë të veçantë u shpreh angazhimi i palëve për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, si një arterie kyçe dhe një investim i jashtëzakonshëm në ecurinë e mëtejshme dhe të suksesshme të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe realizimin e projekteve të rëndësishme të përbashkëta ekonomike”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›