Brezi i 30-vjeçarëve në diplomacinë evropiane
Në politikën e jashtme në këtë fillim të shek. XXI Evropa kontinentale po përjeton një prirje risore, të admirueshme e të gëzueshme: Diplomacia po drejtohet edhe nga “brezi i 30 vjeçarëve”, të cilët kanë tërhequr vëmendjen testuese e vlerësuese të elitarëve të politikës e të politikës elitare euro-atlantike. Së pari është Estonia, e cila emëroi ministër të jashtëm në prill 2005 një 30 vjeçar, Urmas Peat; Maqedonia në gusht 2006 një 30 vjeçar, Antonio Milososhkin; Shqipëria në prill 2007 një 33 vjeçar, Lulzim Bashën; Serbia në maj 2007 një 32 vjeçar, njëfarë Vuk Jeremiç, ndërsa Lihtenshtejni në prill 2009 një 34 vjeçar, Aurelia Frick. Disa prej tyre vijnë nga poste ministrore, si në Shqipëri Ministër i Punëve Publike, Transportit e Telekomunikacionit (2005) e në Estoni Ministër i Kulturës (2003) apo nuk kanë lëvizur nga detyra ministrore ndonëse janë bërë dy herë zgjedhje parlamentare e ndërruar kryeministrat si në Estoni e Serbi. Këta janë 5, por janë 5 ministrat më të rinj të botës. Të pestë ndodhen në Evropë.
Pas tyre, në këtë rekord, vijnë edhe ministri i jashtëm i Guajanës në Amerikën e Jugut, Rodrigues, 36 vjeç; i Republikës Nauru në Oqeani, Keke, 39 vjeç, etj. Ndër 5 ministrat e jashtëm më të moshuar të botës renditen i Libanit, 78 vjeç, i Indisë 77 vjeç, (që, në maj 2009, erdhi në vend të Mukherjeres 74 vjeçar), i Filipineve 76 vjeç, i Kamboxhias 74 vjeç dhe i Kilit 71 vjeç. Ministrat e rinj të Evropës janë sa gjysma e moshës së tyre.
Evropa e vjetër ka ministrat e jashtëm më të rinj.
***
Kjo nuk është një rastësi, por një proces në progres, në kushtet e Rendit të Ri Botëror, pas Rënies së Murit të Berlinit, në hapësirat e globalizmit. Ç’ka nuk është vetëm një risi për “Brezin e 30 vjeçarëve të diplomacisë”, por edhe një dukuri evropiane në politikën e saj të jashtme, ku mosha e ministrave të jashtëm është ulur në dekadat e fundit.
Evropa, si kontinent, shënon moshën mesatare 51 vjeç, më të ultën në planet, ndërkohë që Amerika e Veriut e ka 56 vjeç, Azia më të lartën në botë, etj. Dy organizmat e fuqishme euro-atlantike janë nën mesataren evropiane: Bashkimi Evropian 48 vjeç dhe NATO 50.7 vjeç. Evropa Lindore, perandoria e dikurshme komuniste, ka një ulje të ndjeshme të moshës së ministrave të jashtëm, duke arrit në 48. 7 vjeç, ku: të 15 ish-republikat e Bashkimit Sovjetik në 48 vjeç, ndërsa tre vendet baltike në 42 vjeç, Ballkani gjeopolitik përllogaritet në 46.3 vjeç, kurse Ballkani Perëndimor në 45.5 vjeç. Në Evropë, sipas një grupimi moshash, rezulton: 30-39 vjeç janë 5 ministra të jashtëm; 40-50 vjeç 24, nga 51-60 vjeç 19 dhe nga 61-70 vjeç vetëm 7, ndërsa mbi 70 vjeç asnjë. Ndërkohë, para “Luftës së Ftohtë” dominonte mosha mbi 50 vjeç dhe kishte edhe ministra të jashtëm mbi 70 vjeç, mirëpo, gjatë proçeseve të demokratizimit e globalizmit, me zgjerimin e NATO-s e BE-së, etj. u ndryshuan ndjeshëm raportet e grup-moshave.
Ministra të jashtëm nën 50 vjeç kanë edhe Finlanda 41 vjeç, Mbretëria e Bashkuar 44 vjeç, San Marino 48 vjeç, Belgjika, Austria, Irlanda e Norvegjia nga 49 vjeç, Turqia, Luksemburgu e Qipro nga 50 vjeç.
Sot, në shekullin XXI, të gjitha ish-vendet komuniste, sidomos ato shtete që dolën nga shpërbërja e ish- BRSS e RSFJ, po e ndjejnë të nevojshme që në politikën e jashtme, para Evropës e Botës, në strukturat euro-atlantike, të paraqiten në diplomaci jo vetëm me “fytyra të reja”, por kryesisht me mosha të reja, siç është “brezi i 30 vjeçarëve”, brezi i shkolluar në universitete apo studime pasuniversitare në Perëndim, me kontribute e vite pune më së shumti në demokraci, të mirë-aktivizuar në jetën politike, akademike apo shoqërinë civile, njohës e folës të mirë të anglishtes, etj.
Njëkohësisht, në këtë prag shekullit XXI, po rritet numerikisht e cilësisht edhe “brezi i 40 vjeçarëve” në diplomaci, si në Bullgari 40 vjeç, Kroaci 41 vjeç, Moldavi, Armeni e Kirgistan 43 vjeç, Lituani 45 vjeç, Poloni, Sllovaki e Letoni 46 vjeç, Slloveni 47 vjeç, Republika Ceke 48 vjeç, Azerbajxhani, Karakistani e Turkmenistani 49 vjeç, etj. çka kjo po i krijon të gjitha shanset e atributetet, që në vitet që vijnë të ulet më shumë në gradualitet kohor e rritet më shumë në progresivitet numri i “brezit të 30 vjeçarëve” në diplomaci. Evropa po iu beson gjithnjë e më shumë të rinjve edhe në diplomaci, po krijon me përkushtim e investim “brezin e 30 vjeçarëve” në politikën e jashtme, që janë rritur në vitet e demokracisë dhe po rriten me diplomacinë, që janë e ardhmja evropiane e saj.